Një qendërmbrojtës dhe një sulmues “pykë”, Partizani 2 goditje në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2017 | 9:33

Një qendërmbrojtës dhe një sulmues “pykë”, Partizani 2 goditje në merkato

Partizani është detyruar që, deri në hapjen e merkatos së dimrit, të sajohet me grupin e lojtarëve që trajneri Sulejman Starova gjeti në ekip. Është thënë se në janar skuadra do t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni, ku daljet priten të jenë me shumicë, ndërsa afrimet kërkohet që të jenë të mirëstudiuara.

Partizani Starova

Aktualisht nevojat për përforcime shikohen në çdo repart, gjithsesi për drejtuesit ka edhe prioritete në merkato. Gjetja e një qendërmbrojtësi dhe afrimi i një qendërsulmuesi, ose siç quhet ndryshe “pykë”, janë imediate për Partizanin, në mënyrë që të shpëtohet sezoni.

Trajneri Starova e ka deklaruar hapur se, nën drejtimin e tij, “demat” do të synojnë fitimin e Kupës së Shqipërisë, si dhe grumbullimin e sa më shumë pikëve në tri fazat e mbetura. Drejtuesit e kuq prej ditësh kanë nisur punën për gjetjen e lojtarëve të duhur për periudhën e përforcimeve në janar.

Piketat aktuale përafrohen me synimet që trajneri Starova deklaroi që pas eliminimit nga Liga e Europës me Botev Plovdivin. Gjatë verës Partizani kreu një merkato voluminoze, ku në total mbërritën 15 futbollistë, por ata thjesht rezultuan barrë financiare për klubin.

Partizani

Emrat e afruar në sulm ishin sugjestionues, por dolën jashtë çdo pritshmërie. Ata jo vetëm që nuk kanë shënuar, por nuk janë parë as në fushën e lojës. U mendua se me afrimet e verës Partizani do të ishte më pranë se kurrë te rikthimi te titulli kampion, por realiteti është i hidhur, pasi vetëm në fazën e parë kanë krijuar një distancë 14-pikëshe me kreun.

Sa u përket dy goditjeve imediate që ka Partizani për janarin, mësohet se, me shumë mundësi, qendërmbrojtësi do të jetë një lojtar që e njeh Superioren, ndërsa diapazoni për gjetjen e “pykës” pritet të jetë më i gjerë, pasi me shumë mundësi ai pritet të vijë nga jashtë vendit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"