“Ngrin” Skënderbeu, sfidon BATE Borisovin, Takaj: Nuk u trembemi, do të kualifikohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2014 | 19:05

“Ngrin” Skënderbeu, sfidon BATE Borisovin, Takaj: Nuk u trembemi, do të kualifikohemi

Skenderbeu drejt AustriseSkënderbeu nuk ka pasur fat në shortin e djeshëm, por pavarësisht kësaj presidenti i korçarëve ka lëshuar doza optimizmi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai nuk e shikon si një mungesë fati shortin e Kupës së Kampioneve dhe thekson se çdo ekip që do të binte ishte i fortë. Pa dyshim që kishte vend edhe për më mirë, por tashmë Skënderbeu duhet t’i përgatisë në maksimum dy ndeshjet e para të turit të dytë eliminator të Europës. “E ndoqa me vëmendje shortin dhe ishim të parët që u përzgjodhëm nga goglat. Ne marrim pjesë në Kupën e Kampioneve dhe të gjitha ekipet janë të forta. Në Champions nuk mund të themi se ka ekipe të lehta. Janë të gjitha skuadra kampione në shtetet e tyre, ashtu si Skënderbeu. Normalisht që do të ishte mirë të kishim pak më shumë fat, por jemi të kënaqur edhe me këtë përzgjedhje të bërë nga shorti”, theksoi fillimisht presidenti Ardjan Takaj. Më pas, vetë numri një i klubit bardhekuq u ndal edhe te kundërshtari. “Është një ekip shumë i fortë dhe me një histori të mirë në Champions. Tashmë do të jetë radha jonë që të tregojmë forcën tonë dhe t’u themi të gjithëve se jemi një ekip i madh. Kundërshtarin e njoh mjaftueshëm, por do të jetë puna e trajnerit Mirel Josa për të përgatitur ekipin. Normalisht që ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm për të arritur një rezultat pozitiv dhe më pas do të kërkojmë edhe kualifikimin. Shanset janë dhe ne do mundohemi që t’i thyejmë bjellorusët. Fakti që do të luajmë ndeshjen e parë në transfertë është një plus më shumë për ne”, vijoi Takaj. Më tej ai u ndal edhe te merkato e Skënderbeut. “Ne po punojmë që të jemi sa më të fortë këtë vit, ndaj jemi këtu për të bërë një ekip shumë më të fortë. Do të ketë surpriza kjo skuadër. Mund t’ju them se ka mundësi të bëjmë edhe ndonjë afrim tjetër, por për momentin ekipi është shumë i fortë edhe kështu siç është”, përfundoi prononcimin presidenti i Skënderbeut, menjëherë pas hedhjes së shortit. Ndërkaq, është pritur me ankth dhe kureshtje në kampin bardhekuq shorti i djeshëm. I gjithë ekipi në momentin e hedhjes së shortit ka qenë i mbledhur në një dhomë, ku ka ndjekur me endje kundërshtarin e radhës. Pavarësisht se goglat zgjodhën bjellorusët e BATE Borisovit, sërish optimizmi nuk ka munguar. Sakaq, te Skënderbeu të gjithë janë të bindur se shanset për të arritur kualifikimin ekzistojnë. Të gjithë njëzëri ekipi i Skënderbeut premton dy ndeshje të interpretuara në perfeksion, ku suksesi në fund do të jetë në favor të korçarëve.

LOJTARËT E SKËNDERBEUT
PORTIERË
Orges Shehi
Erion Llapanji
MBROJTËS
Samir Sahiti
Ademir Soza
Marko Radas
Tefik Osmani
Bajram Jashanica
Kristi Vangjeli
Renato Arapi
Amarildo Dimo
MESFUSHORË
Bledi Shkëmbi
Enkel Alikaj
Sabjen Lilaj
Ovboka Agboi
Nuredin Orelesi
Bakari Nimaga
Bernard Berisha
Leonit Abazi
Gerhard Progni
SULMUES
Fatjon Sefa
Elis Bakaj
Andi Ribaj
Artnant Tahirllari
LLAZI SARO

Bate“Ngrin” Skënderbeu, do sfidojë BATE Borisovin
I pafat! Kështu mund të konsiderohet shorti i djeshëm i Champions League për kampionin e Shqipërisë. Mes një sërë ekipesh të grumbulluara në vazon e favoriteve, Skënderbeu “peshkon” një nga shtatë skuadrat që mundësisht duhej të evitonte (Makabi Tel-Aviv, Sparta Pragë, Sëlltik, Dinamo Zagreb, Ludogorets, Steaua dhe BATE), pikërisht bjellorusët e BATE Borisovit. Goglat e përziera në Zyrih të Zvicrës, në zyrat e UEFA-s, i kanë servirur kampionëve shqiptarë, kampionen e Bjellorusisë, skuadër kjo e cila ka luajtur edhe në fazën e grupeve të Champions-it apo të Ligës së Europës. Një klub me buxhet të madh financiar dhe me lojtarë të Kombëtares bjelloruse. Nisur nga çfarë paraqet në të gjitha drejtimet kjo skuadër, mund të thuhet se shorti ka rezultuar mjaft i vështirë për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. Ndeshja e parë do të luhet në fushën e bjellorusëve (15-16 korrik), ndërsa kthimi në Korçë (22-23 korrik). Sakaq, duhet thënë se ndryshe nga tri skuadrat e tjera shqiptare pjesëmarrëse në Ligën e Europës, Skënderbeu e nis rrugëtimin në Europë nga turi i dytë. Në të parin marrin pjesë gjashtë skuadrat me koeficientin më të vogël, të cilat rezultojnë se janë kampionet e Ishujve Faroe, Gjibraltarit, Maltës, Andorës, San Marinos dhe Estonisë. Disi më ndryshe shorti për tre ekipet shqiptare që luajnë në Ligën e Europës. Madje, nisur nga historia, duket se Flamurtari është ai që ka pasur më shumë fat. Fituesit e Kupës së Shqipërisë do të përballen me gjeorgjianët e Sioni Bolnisit. Vitin e shkuar e mbylli kampionatin në vend të tretë. Short teorikisht të kalueshëm ka edhe Laçi. Kurbinasit do luajnë përballë sllovenëve të Rudar Velenjes, të cilët e përfunduan sezonin në vendin e tretë në kampionat. Ndërsa, paksa më të vështirë e ka shortin Kukësi, por jo të pakalueshëm. Veriorët, të fuqizuar ndjeshëm në merkato, do të përballen me kazakët e Kairat Almatit. Vitin e shkuar u renditën në vend të tretë në renditje, duke fituar të drejtën të luanin në Ligën e Europës. Nga shqiptaret, vetëm Laçi luan ndeshjen e parë në shtëpi.

BATE_Real2Gjiganti bjellorus që fiton 8 tituj radhazi
BATE Borisov është klubi më i famshëm i Bjellorusisë. Për të kuptuar se me cilën skuadër ka të bëjë Skënderbeu, mjafton të theksojmë se nuk ka ndeshje të Kombëtares së Bjellorusisë, zyrtare dhe miqësore, ku nuk luajnë minimalisht tre-katër lojtarë të kësaj skuadre. BATE konkurron në Premiere League bjelloruse dhe janë kampionët aktualë të këtij vendi. Ai është i vetmi ekip i Bjellorusisë, i cili është kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve (2008- 2009, 2011-2012 dhe 2012- 2013), si dhe në fazën e grupeve të Europa League (2009-2010 dhe 2010-2011). Stadiumi i tyre është në Borisov, me një kapacitet të vogël, por ndeshjet ndërkombëtare i luan në Minsk, në stadiumin e Dinamos. Klubi u themelua në vitin 1973 dhe është rithemeluar në vitin 1996. Që nga ai moment, BATE Borisov ka fituar dhjetë herë titullin e kampionit, ndërsa nga 2006-a numëron tetë tituj kampionë radhazi, duke marrë pjesë me dinjitet edhe në kompeticionet ndërkombëtare, të drejtuara nga UEFA. Në vitin 2001, BATE Borisov arriti deri në raundin e parë të Kupës UEFA, duke regjistruar kësisoj paraqitjen e tyre të parë përtej raundeve kualifikuese. Në vitin 2008 pati mundur Valur, Anderleht dhe Levski Sofje, për t’u bërë ekipi i parë bjellorus që kualifikohej në fazat e grupeve të Ligës së Kampioneve. Në një grup me Juventusin, Real Madridin dhe Zenitin, BATE Borisov përfundoi me tri pikë. Skuadra në fjalë ishte në Grupin I të Ligës së Europës në sezonin 2009-2010, së bashku me Benfikën, Evertonin dhe AEK-un e Athinës, por u eliminua aty dhe nuk përparoi dot më tej. Në sezonin 2010-2011, BATE Borisov luajti në të njëjtin kompeticion, në Grupin E, së bashku me AZ Alkmar, Sherif Tiraspol dhe Dinamon e Kievit. Aty u kualifikua në grup dhe shkoi në fazën ku merrnin pjesë 32 skuadrat më të mira. Më vonë u eliminuan nga PSG-ja. Ish-lojtarë të rëndësishëm, që kanë dalë nga ky klub, janë: Aleksander Hleb (Shtutgart, Arsenal, Barcelona dhe Birmingam). Ai është rikthyer përsëri në klub dhe aktualisht luan te BATE Borisov. Vitali Kutuzov (Milan, Sporting, Avelino, Sampdoria, Parma, Pisa dhe Bari). Juri Zhevnov (FC Moskë dhe Zenit St Petersburg).

Takaj i vogel ne mes“Do ta studioj me detaje Skënderbeun dhe e eliminoj”
Trajneri i BATE Barisovit, Alesandro Ermakoviç, ka vlerësuar Skënderbeun, duke kërkuar nga skuadra që të jetë tejet e kujdesshme në të dyja takimet që do të luajë në Champions ndaj kampionëve të Shqipërisë.
Jeni i kënaqur nga shorti i Champions League?
Para shortit po shikoja se mund të kishim kundërshtare skuadra si Dinamo, Tbilisi, Skënderbeu, Sutjeska, që të gjitha kampione në vendet e tyre. Në këtë këndvështrim nuk shikoj se kemi pasur shumë fat. Kundërshtarë të lehtë s’ka më, koncept që duhet ta heqim nga mendja. Për mendimin tim, kampionët e Gjeorgjisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës janë të gjithë të një niveli.
Çfarë menduat menjëherë sapo mësuat kundërshtarin?
Gjëja e parë, mendova për të nxehtin që na pret në muajin korrik në Shqipëri. Së dyti, pashë menjëherë në internet lojtarët dhe u çudita, pasi Skënderbeu kishte futbollistë brazilianë, kroatë e nigerianë. Dhe, ashtu sikundër shumë skuadra të Ballkanit, edhe Skënderbeu e përqendron lojën më së shumti në sulm. Vitin e kaluar ata shkuan në turin e tretë të Champions-it dhe luajtën edhe në “play-off” të Ligës së Europës. U eliminuan vetëm nga penalltitë, ndaj këto janë të dhëna që duhen marrë shumë në konsideratë.
Sa e njihni Skënderbeun?
Pak, por tani do të zhytem në internet që të shikoj video të ndeshjeve të tyre, për të kuptuar më mirë se me çfarë skuadre kemi të bëjmë. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, për çka iu siguroj.
Kjo është hera e parë që ju drejtoni BATE-n në Europë, i emocionuar?
Më shumë se sa i emocionuar, ndiej përgjegjësi të madhe, pasi në këto momente jemi në fazën vendimtare të edicionit tonë. Do të bëj të pamundurën për ta eliminuar Skënderbeun.
Ka problem për ju fakti se ndeshja e parë luhet në shtëpi?
Jo, fare. Në çdo rast do të kërkojmë që të fitojmë, pavarësisht nëse luajmë në fushën tonë apo në transfertë.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"