“Ngjitja nuk diskutohet, por duhet titulli”, Çapja: Elbasani del i pari, të nisë plani “Superiore”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 13:27

“Ngjitja nuk diskutohet, por duhet titulli”, Çapja: Elbasani del i pari, të nisë plani “Superiore”

Hetlen Çapja i përket brezit të dytë që ia doli të shpallej kampion me Elbasanin në Superiore dhe tani dëshiron që kjo histori të rikthehet sërish. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i verdhebluve analizon ecurinë e skuadrës këtë edicion, ku evidenton lojën në rritje që kanë bërë në javët e fundit.

HETLEM CAPJA

Ai ka keqardhje që nuk mundën dot Bylisin në transfertë me atë që treguan në fushë, por i kanë rrëmbyer vendin e parë që do të dinë të ruajnë deri në fund. Sipas Çapes, klubi duhet të mendojë seriozisht për vitin tjetër në Superiore, pasi ngjitja nuk vihet më në diskutim.

Çapja, a ju ka pëlqyer Elbasani deri tani? 

Ekipi po shkon mirë dhe është në rrugën e duhur, edhe pse ka mundësinë që të bëjë akoma më mirë. Duke marrë shkas edhe nga përballja e fundit, mendoj që ishte një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni. Kjo do të thotë se skuadra nga java në javë po pëson rritje dhe po shkon në njëfarë mënyre drejt kulmit të saj.

Megjithatë, ka pasur disa ndeshje që nuk ka marrë dot pikët… 

Futbolli i tillë është, jo gjithnjë do të merren pikët. Ka edhe ndeshje kur luan mirë dhe në fund nuk fiton dot. Dua të veçoj atë ndaj Bylisit në transfertë, ku më erdhi keq që nuk morëm tri pikët në fushën e tyre. Duke qenë se të dyja ekipet janë rivalizuese për ekipin kampion dhe për shumë javë ka qenë në krye dhe një fitore do të kishte akoma më shumë vlera, duke parë atë që prodhoi ekipi në fushë.

13 pikë nga vendi i tretë, ia vlen më të diskutosh ngjitjen? 

Jo, jo. Unë besoj që kjo punë ka marrë fund dhe me këtë besoj se bien dakord të gjithë. Mendoj që me lojtarët e afruar, presidentin, mbështetjen e bashkisë dhe performancën e tifozëve, nuk ka asnjë shans që skuadra të rrezikojë këtë objektiv. Kjo skuadër meriton vendin e parë dhe mendoj se do ta mbajë deri në fund, duke zhvilluar edhe lojëra më të bukura.

Sa e vështirë është tani që ta mbash vendin e parë? 

Edhe ne kur dolëm kampion atëherë (2006) e kapëm vendin e parë, por nuk ishte aq e lehtë ta mbaje. Por, duke parë kontigjentin dhe seriozitetin e trajnerëve që punojnë aty, mendoj se do ta mbajnë. Me pak kujdes dhe profesionalizmin që kanë futur në grup, pa harruar djemtë që janë aty thuajse të gjithë me eksperiencë, mendoj që nuk kanë asnjë arsye për të mos e ruajtur këtë pozicion.

A duhet të mendojë që tani Elbasani për Superioren? 

E kam theksuar edhe më herët që duhet të hedhim hapat dhe bazat që tani për të menduar për Superioren, sepse dihet që ajo është shumë e egër. Megjithatë, mendoj se në klub e kanë menduar këtë gjë që kur kanë bërë merkaton në afrime, sepse jo më kot ka në përbërje lojtarë të Superiores. Në elitë më pas ne do të kemi edhe një plus si tifozeria elbasanase që dihet sa e duan sportin.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"