“Ngjisim Flamurtarin”, Ribaj: Ju tregoj pse qëndrova edhe në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 21:19

“Ngjisim Flamurtarin”, Ribaj: Ju tregoj pse qëndrova edhe në Kategorinë e Parë

Andi Ribaj nuk bëhet pishman që qëndroi te Flamurtari. Edhe pse parashikon një sezon të vështirë, kapiteni beson te ngjitja. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” sulmuesi zbulon vështirësitë që po hasin deri më tani vlonjatët në Kategorinë e Parë. Paralajmëron se nuk ka vend për frikë dhe kuqezinjtë do t’ia dalin.

RIBAJ

Flamurtari nuk e ka nisur mirë sezonin, si e shpjegoni?

Siç e dini dhe e keni parë të gjithë, grupi është i përbërë nga djem të rinj. Normalisht që ata duan kohën e tyre. Me kalimin e kohës ata do të tregojnë sa vlejnë, sepse cilësi kanë.

Sa premton ky ekip ngjitjen në elitë?

Grupi është shumë i mirë. Futbollistët i kanë të gjitha mundësitë siç thashë edhe më lart. Unë mendoj se është grup shumë i ri dhe duhet përshtatja, sepse Kategoria e Parë është shumë e egër.

Keni presion nga klubi dhe a ka një objektiv të qartë për të ardhmen?

Presion nuk ka dhe nuk ka pasur ndonjëherë. Objektivi është që të luajmë dhe të përfaqësojmë denjësisht fanellën e Flamurtarit.

Si u bind Ribaj që të luante në Kategorinë e Parë?

Flamurtari është fanellë shumë e rëndë dhe mbi të gjitha mua më pëlqen ambienti, ndaj qëndrova. Do të jap maksimumin tim për këto ngjyra, pasi ndihem i respektuar nga të gjithë.

Andi Ribaj Flamurtari

Nuk jeni bërë pishman që qëndruat?

Jo, jo. Aspak pishman, sepse kam besim shumë te ky grup. Të gjithë bashkë do t’ia dalim.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Tomorin?

Ndeshja e radhës është ndaj Tomorit që është një ekip i fortë. Ka lojtarë shumë të mirë brenda grupit, po ne do të futemi në fushën e lojës vetëm për fitore sepse nuk na falen më gabime në fushën tonë.

E vështirë inferiorja?

Mua nuk më duket e vështirë, sepse të gjitha ekipet janë me emër dhe të lejojnë të luash futboll.

U trembeni transfertave?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira, si brenda dhe jashtë. Duhet të përqendrohemi. Nuk kemi pse të kemi frikë. Kudo do të bëjmë lojën tonë, duke dhënë më të mirën.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"