NGJARJET E SË PARËS/ Tifozët protagonistë, kur leksionet i jep… Orikumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 19:14

NGJARJET E SË PARËS/ Tifozët protagonistë, kur leksionet i jep… Orikumi

Ka mjaftuar një përballje mes rivalëve për vendin e parë që të rikthehen edhe një herë incidentet dhe aktet e dhunshme në Kategorinë e Parë. Bylis-Lushnja që nisi që disa ditë përpara se të luhej, u mbyll në mënyrën më të keqe me tifozët vendës që godasin me sende lojtarët miq, ndërsa presidenca ballshiote përplaset verbalisht me ultrasit e Lushnjës.

orikumi

Duket se vendimi për të garantuar sigurinë në stadiumet shqiptare me polici private, është paksa i nxituar, sidomos në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen e luajtur në Lushnjë, u desh ndërhyrja e Policisë së Shtetit me në krye shefin e Komisariatit që të qetësohej situata. Në fund ka akuza të ndërsjella mes palëve, ndërsa duket se gara është ndezur më shumë se duhet. Për sa i përket rezultatit në fushë, janë ballshiotët ata që fitojnë 1-0 me gol të Kofi në minutat e fundit. Një 3-pikësh shumë i rëndësishëm për Bylisin në një fushë të vështirë.

Ndërsa, Lushnja pas gjashtë javëve të para kampionat, ka vetëm një fitore, shumë pak për një ekip që synon elitën. Megjithatë, diferencat në këtë grup janë të papërfillshme dhe pritet që gara të jetë e hapur deri në fund. Pakkush e kishte besuar se pas gjashtë javëve të para, Pogradeci do të udhëhiqte renditjen e Grupit B. Liqenorët fituan në fushën e tyre përballë Apolonisë.

Një gol i Shkulakut në minutat e fundit i dha 3-pikëshin Pogradecit. Fierakët nuk janë në nivelin që pritej dhe në këto javë të para kanë hasur shumë vështirësi, sidomos në transferta. Orikumi mund të konsiderohet një surprizë e bukur e këtij kampionati, të paktën deri tani. Një skuadër debutuese, lojtarë që janë rritur bashkë, drejtues të përkushtuar, tifozë besnikë në çdo moment dhe një trajner i ri që ka shumë grintë dhe pasion.

Bregdetarët janë të dytët, vetëm një pikë larg kreut dhe mund të konsiderohen një prej pretendentëve seriozë për ngjitjen në Superiore. Në ndeshjen e së shtunës, të besuarit e Sakajt mundin Egnatian lehtësisht 2-0. Një gol i Dhramit dhe një i Sadushit ua japin fitoren bregdetarëve. Tomori i jep fund krizës dhe fiton 2-1 ndaj Turbinës, ndërsa Besa i gëzohet vetëm tri pikëve përballë Elbasanit ku fiton 1-0.

Capture

Në këtë grup, nga vendi i parë dhe deri në të 8-in, diferenca është pesë pikë. Vetëm Turbina dhe Elbasani nuk e synojnë ngjitjen. Në Grupin A duket se Vllaznia nuk do të hasë probleme. Gjashtë fitore në po kaq ndeshje u japin siguri kuqebluve që të shtunën fituan në fushën e tyre përballë Erzenit. Dinamo mbetet sërish ndjekësi më i afërt i shkodranëve, duke mundur Vorën me rezultatin 2-0.

Capture1

Besëlidhja rigjen fitoren në “derbi”, duke mundur Shënkollin me rezultatin 3-1. Tripleta e Omar Kamarasë i bën me “krahë” lezhjanët që kanë marrë zemër. Burreli turpërohet në shtëpi, duke u mundur 4-1 nga Iliria. Një ndeshje ku matjanët janë thuajse inekzistentë, ndërsa fushë-krujasit shënojnë tre gola në dhjetë minutat e fundit. Veleçiku e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë kampionat dhe vazhdon të fitojë në ndeshjet që luan në shtëpi. Në sfidën ndaj Korabit, koplikasit triumfojnë 2-1, ndërsa të tre golat u realizuan që në pjesën e parë. Në Grupin A duken qartë diferencat që ka Vllaznia me ekipet e tjera.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"