Nga Valbona te Turbina, Tërbuni dhe Gramshi, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 11:45

Nga Valbona te Turbina, Tërbuni dhe Gramshi, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Valbona kanë nisur punën për t’u përgatitur për takimin e radhës, atë ndaj Gramshit në transferetë. Lidhur me ecurinë e Valbonës dhe takimin e radhës, mesfushori shkodran, Ersil Ymeri, për “Panorama Sport” u shpreh:

kategoria-e-dyte

“Duhet të ishim të parët në renditje. Në fillimin e fazës së dytë na ‘masakruan’ në Lezhë, gjithsesi do të jemi të parët në fund të kampionatit. Nuk duhet të humbasim asnjë ndeshje, por të marrim maksimumin deri në fund. Kam shumë besim se rivalët do të humbasin pikë rrugës dhe do të jemi sërish të parët. Në Gramsh shkojmë me synimin për të fituar dhe për këtë do të kemi në dispozicion kohën e duhur.

Valbona është e sigurt që do të ngjitet në Kategorinë e Parë. Në si lojtarë nuk do të lejojmë kurrë që këto shpenzime që klubi ka bërë për këtë qëllim të shkojnë dëm”. Valbona për momentin është e dyta në renditje me të njëjtën kuotë pikësh, 37, me Besëlidhjen e vendit të parë.

Turbina

Turbina mori një fitore të çmuar në Devoll. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Samet Gjoka u shpreh: “Morëm një fitore me shumë vlerë në Bilisht, duke vazhduar me rezultate pozitive. Për 4 javë kemi marrë 10 pikë dhe këto nuk janë pak për ne. Tani na pret një takim tjetër i fortë, ku do të presim në fushën e tonë Luftëtarin. Ne nuk i trembemi aspak atyre, kështu që do të synojmë vetëm tri pikët”..

 

Tërbuni

Pukjanët, pas fitores me Albanët, kanë mbetur sërish në vend të pestë. Në lidhje me situatën dhe vazhdimësinë trajneri i Tërbunit, Sinan Bardhi, u shpreh: “Kemi bërë një analizë të takimit me Albanët. Pjesën e parë e morëm shumë lehtë. Më vjen keq se disa lojtarë po tregohen individualistë. Po përgatitemi për ndeshjen e radhës me Ilirinë, ku kërkohet fitorja. Luajmë në fushën tonë, nuk duhet të zhgënjejmë tifozërinë”.

Gramshi

Gramshi do të presë këtë fundjavë në fushën e vetë Valbonën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Ledio Koçi tha: “Nuk e kemi nisur mirë fazën e dytë dhe na vjen shumë keq. Javën e kaluar e kishim pushim dhe kemi marrë një ngarkesë më shumë. Të shtunën do të kemi një takim shumë të fortë, ndaj Valbonës, por do ta kenë të vështirë në stadiumin tonë. Shpresoj të marrim fitoren e parë në fazën e dytë”.

 A.DUSHKU/ M. MIRAKA/G.PEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"