Nga stadiumi te merkato, Korabi në luftë me kohën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2017 | 17:14

Nga stadiumi te merkato, Korabi në luftë me kohën

Shtyrja e kampionatit ka bërë që të përshpejtohen punët për mbylljen e rikonstruksionit të stadiumit, ku mendohet që nga java e ardhshme skuadra të zhvendoset drejt qytetit të Peshkopisë. Nga e hëna e ardhshme, për 4 ditë radhazi, stërvitjet do të bëhen në stadium. Kjo praktikë do të ndiqet nga skuadra në mënyrë që vetë futbollistët të ambientohen me terrenin dhe kushtet.

Korabi stervitje 2017

Nga sa bëhet me dije nga burime pranë klubit, Korabi do të presë Laçin në këtë impiant. Megjithatë, nuk do të jetë aspak e lehtë për arritjen në kohë të mbylljes së punimeve në stadium, duke parë kushtet e rënduara atmosferike dhe reshjet e dëborës në zonat malore.

Mbrojtësi

Krahas punimeve në stadium, drejtuesit dhe stafi teknik i klubit është duke punuar edhe për plotësimin e organikës me elementët e nevojshëm. Dje, klubi ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të djathtë kosovar Veton Shabani. Gjithashtu, në ditët në vazhdim pritet që të ketë të tjera afrime në të tria repartet.

Përgatitjet

Skuadra e Korabit po përgatitet rregullisht çdo ditë duke u kthyer në normalitet. Mirëpo, ndeshja miqësore nxori në pah problemet që kanë disa lojtarë, të cilët ende nuk kanë marrë ngarkesën e duhur dhe nuk janë në formën maksimale. Java në vazhdim kërkon që stafi i Korabit të punojë intensivisht sidomos me këta futbollistë, në mënyrë që nisja e kampionatit ta gjejë skuadrën me përgatitje të njëtrajtshme dhe lojtarët të jenë të gjithë të gatshëm për trajnerin.

korabi stervitje

Së fundmi, Korabi zhvilluar një ndeshje miqësore përballë Bylisit, të cilën e ka mbyllur me rezultat negativ. Përballja mes dy skuadrave u mbyll me shifrat 1-2 në favor të ballshiotëve, të cilët ishin më të qartë në lojën e tyre. Megjithatë rezultati në të tilla ndeshje ka pak rëndësi, pasi këto shërbejnë më tepër për të parë gjendjen e skuadrës.

A. Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"