Nga Seria në A në Kategorinë e Parë, rrëfehet Ivan: Elbasani do të ngjitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2023 | 14:41

Nga Seria në A në Kategorinë e Parë, rrëfehet Ivan: Elbasani do të ngjitet

Dikur ishte pjesë e Serisë A, ndërsa sot luan në Kategorinë e Parë. Është kjo historia e sllovakut David Ivan, i cili iu bashkua verdhebluve pas një aventure të shkurtër te Dinamo. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për sezonin që sapo ka nisur dhe me të madhe e thotë që Elbasani do të ngjitet në Superiore. 28- vjeçari e pranon që gara është e vështirë, por sheh potencial te skuadra e tij. Ndalet konkretisht edhe te ndeshja e radhës me Flamurtarin, por edhe ajo e Kupës me Besëlidhjen.

david ivan

Keni dy muaj pjesë e Elbasanit. Si ndihet David Ivan?

Ndihem mirë. Këtu ka gjithçka për t’u bërë që të ndihesh mirë, duke nisur nga stafi, lojtarët dhe tifozët. Jam shumë i kënaqur që jam këtu.

Po kampionati në këto javët e para si po ju duket?

Është një kampionat shumë i vështirë, gjithçka mund të ndodhë në çdo ndeshje. Për këtë arsye duhet të jesh 100% i përqendruar në çdo ndeshje që në minutën e parë dhe të mos nënvlerësosh asnjë kundërshtar.

Luani gjithmonë titullar, por asnjëherë 90 minutat e plota…

Fillimisht i jam shumë mirënjohës trajnerit që besoi tek unë dhe që po më jep mundësinë të luaj. Kemi një ekip me lojtarë shumë të fortë dhe për këtë jam shumë i lumtur që mund të jem pjesë e këtij grupi.

Ekipi fillon aventurën në Kupë, cilat janë objektivat atje?

Patjetër duam të shkojmë sa më larg. Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Çdo ndeshje këtë vit do të jetë shumë e rëndësishme për ne.

Më pas në kampionat kundër Vlorës. Si e prisni këtë takim?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por duhet të mendojmë gjithmonë për veten, që të arrijmë në ndeshje të përgatitur dhe të përqendruar. Jam i sigurt se nëse secili prej nesh bën më të mirën, mund të arrijmë një rezultat të mirë.

Vitin e kaluar me Dinamon u ngjitët në Superiore, do t’ia dilni edhe me Elbasanin?

Elbasani është një klub që e meriton të jetë në Superiore dhe ky është synimi ynë. Çdo ditë ne po punojmë për të arritur këtë qëllim.

Nga Seria A në Kategorinë e Parë shqiptare, një ndryshim i madh në karrierë e Ivanit. A mendoni se mund të ktheheni në nivelet tuaja të mëparshme?

Unë gjithmonë mendoj për të tashmen. Çdo vit përpiqem të jap më të mirën nga vetja. Këtë vit për mua është prioritet ngjitja në Superiore me Elbasanin dhe do të bëj gjithçka për ta arritur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"