Nga Ronaldo e Grezda te Kombëtarja, Bushi: Trajnerit të Shqipërisë do t’i “dhëmbë koka”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 23:40

Nga Ronaldo e Grezda te Kombëtarja, Bushi: Trajnerit të Shqipërisë do t’i “dhëmbë koka”

Trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi ishte i ftuar në një lidhje direkte për emisionin “Zona Gol” në “Supersport” kur përveç dy takimeve që skuadra e tij do të zhvillojë në muajin shtator, ai foli edhe për Kombëtaren A, për krizën e Kristiano Ronaldos si dhe për transferimin e Eros Grezdës dhe Rejnxhers.

bushi

Si e shpjegoni krizën e Kristiano Ronaldos?
Unë kam vënë re se ndryshe nga Reali, ku e gjithë skuadra luante për të, te Juventusi nuk ndodh e njëjta gjë, pasi vihet theksi te skuadra, jo te individi. Gjithsesi unë nuk besoj se Ronaldo do të shënojë shumë me lehtësi në Itali, pasi dihet që atje luhet një futboll shumë i ngjeshur dhe i kujdesshëm. Por duhet theksuar se është edhe pak çështje psikologjike, që ndikon në të tilla raste dhe kush ka qenë sulmues, e kupton këtë situatën e Ronaldos.

Po deklaratat e Moxhit, që tha se nuk do të blinte një 33-vjeçar si Ronaldo, si i komentoni?
Moxhi është një ekspert i futbollit dhe normalisht që ka bindjet e tij, ndërsa edhe unë e shikoj pak si aventurë këtë investim të Juventusit, ndonëse dihen vlerat e tij tashmë në fushë.

Ronaldo mbeti jashtë Portugalisë, për ndeshjet e fillim-shtatorit…
Kjo është e pritshme, pasi është 33 vjeç dhe nuk mund të përballojë më ngarkesa shumë të mëdha. Ai bën çdo hap të kontrolluar dhe ruan me shumë fanatizëm gjendjen e tij fizike, ndaj nuk besoj se do të ishte mirë, që të vijonte të luante edhe me përfaqësuesen, Ai kërkon të lërë gjurmë te Juventusi, por e ka të qartë që nuk është më në moshën kur mund të përballojë 60 ndeshje në sezon, ndaj duhet të përzgjedhë disa, për të mos i luajtur.

Si e komentoni transferimin e Grezdës te Rejnxhers?
Kohët e fundit shqiptarët kanë bërë shumë transferime të bujshme, ndaj nuk është se përbëjnë më lajm lëvizje të tilla. Gjithsesi Grezda e meriton këtë eksperiencë dhe unë i uroj shumë fat atij në aventurën skoceze. Është një lojtar shumë i fortë, që besoj se do të përshtatet shumë mirë me Rejnxhersin.

Çfarë këshillash do t’i jepnit?
Do t’i rekomandoja të punojë shumë, pasi është e vetmja mënyrë për të arritur shumë në këtë sport. Më pas besoj se edhe me ndihmën e trajnerit, por edhe skuadrës, do të arrijë të japë më të mirën. Grezda është një lojtar mjaft i mirë dhe i rëndësishëm edhe për Shqipërinë e Panuçit, ndaj shpresojmë që t’i ecë mirë në Skoci dhe të vijë në formën më të mirë edhe te Shqipëria.

Edhe Rudi Vata ka luajtur në Skoci, por me Celtic…
Duke parë talentin e Grezdës, ne prisnim ndonjë hap më të madh, pasi është një lojtar i kualitetit botëror. Gjithsesi besoj se edhe aty do të ketë mundësi të tregojë veten dhe të spikasë, pasi ia njoh cilësitë dhe e di se mund të bëjë shumë.

Ju keni luajtur sulmues dhe Shpresat pritet të luajnë gjithashtu në sulm…
Në fakt synimi im është që të ofroj një skuadër të balancuar në fushë, pasi me të gjithë trajnerët që kam punuar, puna fillonte nga konsolidimi i mbrojtjes. Vetëm me një mbrojtje të mirë, mund të synosh të ndërtosh dhe prodhosh gjëra të bukura edhe përpara, në sulm.

Si ju duket përfaqësuesja Shpresa, gjatë drejtimit tuaj?
Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe them me bindje se në eliminatore kemi dominuar thuajse të gjitha takimet. Gjithsesi mungesa e eksperiencës na ka penalizuar dhe nuk kemi marrë rezultate. Gjithsesi kemi arritur të dërgojmë disa lojtarë në kombëtaren e Panuccit dhe në fund të fundit ky është synimi ynë. Tani po punojmë për të afruar të tjerë lojtarë dhe për të synuar të prodhojmë akoma më shumë elementë, që të mund t’i shërbejnë Shqipërisë në të ardhmen.

Ju presin dy ndeshje ndaj dy kundërshtarëve me shumë emër. Si po i përgatisni?
Në fakt janë ndeshje ku ne do të kërkojë të luajmë dhe të marrim eksperiencë. Në të tilla takime nuk synohet rezultati, por synohet vetëm të fitohet eksperiencë dhe autoritet, që më pas të shfaqim siguri në ndeshjet me kundërshtarë të nivelit tonë. Besoj se kemi edhe emra të rinj, që do t’i testojmë dhe do të synojmë t’i bëjmë pjesë e formacionit të parë.

Si duket e ardhmja e Shqipërisë?
Në fakt unë jam tërë kohës i angazhuar dhe mund të them me bindje se pas një apo dy vitesh, qoftë Panuçi, por edhe kushdo që të jetë trajner i Kombëtares së Parë, do t’i dhëmbë koka për të përgatitur listën. Kemi shumë futbollistë të ditëlindjes së 1998-ës, që i kam grumbulluar, por edhe të tjerë si Krymi e Laçi, që nuk i kam grumbulluar, por që shumë shpejt do të jenë të gatshëm të luajnë për Shqipërinë e madhe. Edhe këtë herë kemi sjellë Kryeziun, një mbrojtës mjaft i mirë ,që do të shtojë cilësinë, dy lojtarë nga Shkëndija, Kumbullën nga U-19, etj., të cilët pritet që shumë shpejt të bëjnë hapin cilësor, për të qenë të denjë për të luajtur me Kombëtaren e madhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"