Nga origjina e gjyshit te Juvja, “gladiatori” Dibala i thotë të gjitha: Klubi tentoi të më shiste në Angli, qëndrova prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 19:02

Nga origjina e gjyshit te Juvja, “gladiatori” Dibala i thotë të gjitha: Klubi tentoi të më shiste në Angli, qëndrova prej…

Pas maskës fshihet një djalë. Pak përpara Krishtlindjeve në 2016-ën, Paulo Dibala humbi penalltinë e fundit të Juventusit në finalen e Superkupës së Italisë kundër Milanit. Ai gabim i mbeti në kujtesë për shumë ditë dhe, duke parë filmin “Gladiatori”, i lindi një ide. Nga ai moment çdo gol e feston duke vendosur dorën përpara fytyrës, me gishtin e madh dhe atë tregues të hapur për të imituar një maskë. E kemi parë plot herë këtë skenë, në 64 golat që ka shënuar prej atëherë, duke nisur nga penalltia në ndeshjen e radhës. Në një intervistë për “The Guardian”, ku ai flet për jetën jashtë fushe, por edhe të shkuarën e tij, “La Joya” thotë se festimi me maskën imagjinare nuk është thjesht një festë, por përcjell një mesazh të rëndësishëm.

dibala

Në dhomën e zhveshjes keni shansin të keni edhe Kristiano Ronaldon, edhe Mesin. Cili është më i forti?

Unë jam i vetmi futbollist që ndan një dhomë me të dy dhe njerëzit shohin vetëm majën e ajsbergut dhe jo punën nën të. Ata nuk kanë fituar gjithçka sepse kanë qenë me fat. E di që njerëzve u pëlqen të dinë kush është më i miri, por unë nuk do t’i përgjigjem kësaj (qesh).

Përse i festoni golat duke bërë maskën?

Njerëzit kalojnë shumë momente të vështira. Ti duhet të dalësh në fushëbetejë dhe të luftosh, nuk ke zgjedhje tjetër. Jo vetëm në futboll, por edhe në jetë. Të gjithë kalojnë periudha të këqija në jetë, por duhet të vazhdosh përpara. Të vendosësh maskën siç bëjnë gladiatorët dhe të luftosh. Kjo ishte ideja që doja të transmetoja. Njerëzve u pëlqeu dhe e kuptuan. Dhe jam i kënaqur, sepse mesazhet që ti dërgon nuk interpretohen gjithnjë siç do të doje.

Dibala

Pakkush e di që ju keni origjinë polake. Gjyshi juaj ishte nga Krasniovi (një fshat me vetëm 49 banorë) përpara se të largohej drejt Argjentinës pas Luftës II Botërore? E keni vizituar këtë vend?

Do të më pëlqente të shkoja, edhe pse nuk ka mbetur asnjë familjar. Është një vend i vogël, me 8-9 shtëpi. Disa gazetarë polakë më lidhën me vajzën e gjyshit, por ajo vdiq. Kam kushërinj në Kanada me të cilët kam folur, por nuk jam takuar. Dua t’i takoj. Doja të pajisesha me pasaportë polake, por nuk e bëmë dot, sepse mungonin disa nga dokumentet e gjyshit dhe kështu morëm pasaporta italiane nga ana e nënës. Por, një ditë do ta marr. Ndoshta ndihem më shumë polak sesa italian. Babai im ishte më shumë polak, vëllai i mesëm gjithashtu. Të gjithë jemi nga pak. Ndoshta jemi pak të ftohtë, gjaku polak. Italianët janë më emocionalë.

Gjyshi juaj vdiq kur ishit 4 vjeç. Babai Adolfo ju la në moshën 15-vjeçare. Ai ishte një tifoz futbolli dhe bënte çdo ditë 100 kilometra vajtjeardhje në Kordoba për t’ju stërvitur me ekipin e Kategorisë së Dytë Instituto deri në moshën 14 vjeç. Kur babai u sëmur me tumor, ju kërkuat të ktheheshit në Laguna Larga…

Isha i vogël dhe ishte shumë e vështirë. Nëna vuajti shumë, vëllezërit gjithashtu. Sheh dhimbjen, por vazhdon të ecësh. Nuk jam i pari që kam vuajtur dhe as i fundit. Fatkeqësisht, ky është cikli i jetës. Tani kemi dikë që na ndihmon nga lart. Mendova: “Do të heq dorë nga futbolli”. Nuk doja të largohesha nga familja për të luajtur në Kordoba. Do të kisha vazhduar të luaja në qytetin tim, por nuk do ta ndiqja më atë ëndërr.

Çfarë ju bëri të ktheheshit pas?

Familja.

A ishte futbolli një strehë?

Streha ime ishte familja. Kur telefonoi Instituto, nuk doja të shkoja. Isha 15 vjeç, nuk e fsheh dot sa e vështirë ishte. U ktheva, sepse futbolli ishte pasioni im dhe më nxiti familja. Në të kundërt, mendja kishte vendosur për ta lënë në mes.

dibala

Kishte lot, por ishte edhe ëndrra e babait tuaj që ju nxiti të shkonit përpara. U bëtë golashënuesi më i ri tek Instituto, duke thyer rekordin e Mario Kempesit në moshën 17-vjeçare. Në prill 2012 telefonoi Palermo…

Isha i bindur totalisht që duhet të shkoja, edhe pse nuk ishte zgjedhja ime. Kartoni im i ishte shitur një fondi investimi. Palermo ishte i vetmi opsion. Futbolli është bërë një biznes i madh. Ne jemi brenda tij, por në shumë raste nuk mund të bësh asgjë. Unë isha shumë i ri, por isha shumë i gëzuar. Nga Seria A në B që ne ramë pas një sezoni ishte një ndryshim i madh, por unë isha i bindur. Familja erdhi në Itali dhe viti i parë nuk shkoi shumë mirë. Ishte një skuadër e vjetër ku unë isha fëmijë. Po vuanim dhe rezultatet ishin të dobëta. Por, sot jam mirënjohës, sepse ajo eksperiencë u shndërrua në një leksion. Këtu te Juve vetëm fitohet.

Kur firmosi me ju presidenti Zamparini ju prezantoi si Aguero i ri, Mesi, Sivori dhe Tevez…

Nëse e beson diçka të tillë, të peshon, por unë e kam thënë gjithnjë se nuk doja të isha si askush. Doja që njerëzit të thoshin se golat dhe lëvizjet janë si të Dibalës, jo të dikujt tjetri. Mesi, Sivori dhe Aguero fituan gjëra të pabesueshme. Unë doja të fitoja gjërat e mia, jo të tyret. Kishte kritika, sepse ishin paguar 8 milionë euro për një 17-vjeçar, ishte transferimi i tyre më i shtrenjtë në  histori. U largova për 40 milionë euro dhe kur erdha te Juventusi, gjëja e parë që më pyetën ishte çmimi. Imagjinoni çmimet që paguhen sot…

Dhe ju konsideroheni i lirë…

(Qesh) Nuk dua ta mendoj presionin që lojtarët kanë sot. Kjo më ndihmoi në njëfarë mënyre.

U larguat nga shtëpia 14 vjeç, u rikthyet 15 dhe ikët sërish 16. Në moshën 17- vjeçare debutuat. 18 vjeç shkuat në Itali. 19 vjeç ratë në Serinë B, një vit më vonë u ngjitet sërish. 21 vjeç u transferuat te Juve. Sot jeni 26 vjeç dhe duket se keni kaluar shumë sfida…

Është një çmenduri. Pak kohë më parë dikush tha: “Je 5 ndeshje larg 200 prezencave me Juven”, në sezonin tim të pestë dhe mendova: “Mua më duket sikur kam ardhur këtu një ditë më parë”. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, mendoj se do të më kenë mbetur edhe 10 vite karrierë, por gjithçka ka ecur shumë shpejt.

Katër tituj kampion, 3 Kupa, një finale Championsi, por diçka sezonin e shkuar nuk shkoi mirë dhe ju mund të mos e kishit arritur sezonin e pestë në Torino. Në verë ishit pranë Junajtidit dhe Totenhemit. Çfarë ndodhi?

Isha pranë largimit. Mendoj se këtë ide e kishte klubi. Deri në minutën e fundit ne po prisnim.

Por në fund qëndruat. Çfarë ju pëlqen në Angli?

Stadiumet e mbushura dhe pasioni.

dibala

Do ta rimendoni?

Kam edhe dy vite në kontratë. Nuk është një kohë e shkurtër, por as e gjatë. Të shohim se çfarë planesh do të ketë Juventusi, nëse mendojnë se unë mund të largohem në merkaton e ardhshme apo duan të qëndroj. Është një vendim që do ta marrë klubi. Është e vështirë ta dish, sepse gjërat ndryshojnë në një sekondë, por unë jam këtu dhe klubi më ka trajtuar mirë. Jam i lumtur dhe komod. Ardhja e Sarrit më ka ndihmuar. Ai dëshiron që unë të qëndroj, kjo më dha forcë. E dija që ai mund të nxirrte më të mirën nga unë dhe të më ndihmonte.

Shtatë asiste dhe 11 gola, më shumë sesa gjithë sezoni i shkuar. Dhe ju është dhënë mbrapsht ai që dashuroni më shumë, topi…

Pa të, mërzitem. Nëse kaloj shumë kohë pa e prekur, është sikur të kem humbur. Humbas vazhdën e ndeshjes. Jam me fat që jam në një skuadër që mban topin, ku të gjithë janë teknikisht mirë. Pjaniç është një lojtar që e prek 120 herë topin në ndeshje. Idetë e Sarrit i ndihmojnë shumë lojtarët. Një, dy prekje, pasim. Topi duhet të lëvizë shpejt. Në mbrojtje nuk ka liri, gjithçka është mekanike, por me topin pranë porte, me një të mijtën e sekondës për të vendosur, gjithçka është e improvizuar, edhe pse unë i njoh lëvizjet e shokëve, sepse kemi punuar gjatë javës në stërvitje. Kur e nisa te Instituto në Kordoba, trajneri kishte të njëjtën filozofi. Amerikano-jugorët luajnë futbollin e rrugës, por futbolli sot po humbet shumë. Është e vështirë të gjesh fëmijë që luajnë në shesh me porta të improvizuara me shkopinj. Futbolli ka ndryshuar, teknologjia i ka çuar fëmijët në drejtime të tjera. Kemi humbur improvizimin. Gjithçka është shumë e strukturuar dhe unë shpresoj që në këtë mënyrë të mos jemi duke humbur futbollistë. Nuk duhet të harrojmë se kjo është një lojë gjithashtu. Dhe kur ne ishim të vegjël, luanim për t’u argëtuar. Ashtu e nisëm dhe ja ku jemi sot. Të gjithë kemi një fëmijë brenda nesh dhe nuk duhet ta lëmë atë kurrë pas.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"