Nga fitorja në derbi te titulli kampion, ja 4 “tabutë” për t’u thyer të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2018 | 21:55

Nga fitorja në derbi te titulli kampion, ja 4 “tabutë” për t’u thyer të Tiranës

Rikthimi i Tiranës në elitë duhet të sho qërohet me ndryshime. Edhe pse zhvilluan një vit perfekt në inferiore, tashmë ka ardhur koha për sfidën e vërtetë. Në klub e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë për të korrur sukses. Janë jo pak, por 4 “tabu” për t’u thyer. Hapi i parë është derbi i madh i kryeqytetit.

tIRANA

Kanë mbi 4 vite pa fituar ndaj Partizanit, ndoshta-ndoshta ky do të jetë sezoni i duhur për të prishur mallkimin që zgjat që prej 7 shkurtit të 2014-ës, kur festonin falë golit të brazilianit Gilberto Fortunato. Gjithçka nis me derbin, por duhet të përmbyllet me titullin e munguar. Zyrtarisht hyjnë në vitin e 10- të pa triumfuar në Kategorisë Superiore. Edhe pse ngjitja nga inferiorja në elitë, u shoqërua me 3 kupa (Superkupën, kupën e Grupit B dhe titullin e Kategorisë së Parë), kryeqytetasit kanë shansin që të rikthejnë në shtëpinë e trofeve titullin. Një “sfidë” më vete është çështja e pankinës.

U bë kohë e gjatë që Tirana nuk reziston më dot me një trajner. I fundit që ka mbijetuar më shumë në krye të pankinës bardheblu mbetet Gugash Magani, i cili e drejtoi ekipin për 17 muaj në total. Megjithatë, as ai nuk i bëri dot dy sezone të plota (e mori në dhjetor të 2013-ës dhe iku në maj të 2015-ës). Që pas peqinasit, ekipi u drejtua prej Egbos, Muçës, Gvozdenoviçit, Dajës dhe Josës.

Nëse Ze Maria do të jetë pjesë e projektit “Superiore”, ndoshta do e ketë ai shansin që të thyejë rekordin e vendosur prej Maganit. Në fund, por jo për nga rëndesa, mbeten tifozët. Pas krizës që po zgjat prej më shumë se një viti e gjysmë, ka ardhur koha e “paqes”. Nëse arrijnë të thyejnë ndoshta dy “tabutë” e para, ndoshta edhe “Fanatics&Co” mund të zbuten dhe rrjedhimisht të tejmbushin stadiumin.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"