Nga debati me presidentin, te pakënaqësitë për gjykimin! Zbulohet prapaskena e largimit të Nicës nga Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2023 | 9:47

Nga debati me presidentin, te pakënaqësitë për gjykimin! Zbulohet prapaskena e largimit të Nicës nga Laçi

Çudira shqiptare që në startin e kampionatit! Pasi e stërviti dy muaj ekipin dhe e drejtoi në fazën përgatitore, duke seleksionuar shumë lojtarë dhe përmbushur strategjinë e klubit, që këtë vit u beson më tepër të rinjve, mjaftoi një barazim në shtëpi ndaj Erzenit në javën e parë që të hedhë në erë gjithçka nga një projekt i nisur. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, shkarkoi dje trajnerin Stavri Nica, në një rast të përsëritur disa herë me durrsakun në dekadën e fundit.

nica

“Klubi i Laçit njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin pas rezultatit zhgënjyes në ndeshjen kundër Erzenit”, njoftohej në faqen zyrtare të klubit kurbinas për largimin e Nicës. Por çfarë ndodhi te Laçi që një barazim 3- 3 në start të bëhet kaq dramë? “Panorama Sport” paralajmëroi në numrin e djeshëm të gazetës, se trajneri Nica ishte larguar nga stadiumi i Laçit shumë i nervozuar dhe se do të merrej një vendim për të ardhmen e tij në orët në vijim. Dhe kështu ndodhi, klubi i Laçit menjëherë bëri njoftimin zyrtar, pasi e njeh mirë trajnerin durrsak, i cili nëse vendos të largohet nga skuadra, është shumë e vështirë të ndryshojë mendje.

Burime në klubin kurbinas i treguan dje gazetës se pasi rezultati shkoi nga 3- 1 në 3-3, nisën përplasjet e para të Nicës me drejtuesit e klubit. Këta të fundit kishin pakënaqësi për mënyrën se si trajneri menaxhoi ndeshjen dhe për më tepër me zëvendësimet që bëri. Mirëpo, këto ankesa tërbuan edhe më tepër Nicën, i cili ia faturoi rezultatin e papritur gjykimit.

“Ndeshjen e vendosi gjykimi, ju po më thoni për ndërrimet. Kjo ishte vjedhje…”, mësohet të ketë thënë 69-vjeçari në inat e sipër, teksa u referohet vendimeve që mori kryesori Maletaj. Ky i fundit anuloi me VAR një penallti për Laçin në start, ndërsa nuk akordoi një tjetër në favor të kurbinasve pas rrëzimit në zonë të Sobovales në duel me Sadikin. Tashmë pritet që presidenti Laska të vendosë për trajnerin e ri, ndërsa ekipi do të drejtohet provizorisht nga zv.trajneri Eduard Tanushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"