Nga akuzat për borxhet te takimi, Idrizi bën “paqe” me Gjikën: Është historia e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 21:52

Nga akuzat për borxhet te takimi, Idrizi bën “paqe” me Gjikën: Është historia e Flamurtarit

Sinan Idrizi dhe Shpëtim Gjika bëjnë “paqe”. Administratori aktual dhe ish-presidenti i Flamurtarit janë bërë bashkë pas një kohe të gjatë.

Gjika Idrizi

Të ftuar në një aktivitet të zhvilluar të shtunën nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, ata jo vetëm janë takuar dhe kanë shtrënguar duart, por edhe e kanë fiksuar këtë moment në foto. Nuk kanë munguar as bisedat e batutat mes tyre për disa minuta. Në të kaluarën nuk i kanë kursyer “thumbimet” ndaj njëri-tjetrit, por duket se mëritë e së shkuarës i kanë hedhur pas krahëve.

REAGIMI PAS “PAQES”

“Panorama Sport” kontaktoi dje me administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, për të marrë prej tij një koment për takimin me Shpëtim Gjikën, nisur edhe nga polemikat që kanë pasur mes tyre. Në deklaratën e Idrizit nuk mungojnë batutat. “Ishim te Dhoma e Tregtisë dhe kaq!

Nuk mund të diskutonim për çështje të tjera. U takuam dhe i dhamë dorën njëri-tjetrit si qytetarë që jemi. Shpëtim Gjika është historia e Flamurtarit, është pjesë e këtij klubi, me të mirat dhe të këqijat e tij. Nuk e përjashton dot! Kemi pasur debate?! Tani pa debate nuk shkon (qesh). Shpëtimi është dhëndër në Bolenë (një fshat i rrethit të Vlorës, tashmë pjesë e Himarës), ndërsa unë jam nip në Bolenë. Normal që do bëjmë debate me dhëndrin, se pa debate nuk shkojmë dot…”, përfundon Idrizi.

POLEMIKAT NDËR VITE

Kanë qenë të shumta polemikat mes Sinan Idrizit dhe Shpëtim Gjikës. Administratori e ka akuzuar ish-kryetarin e bashkisë për kontrata të dyfishta me ish-lojtarët dhe mosdeklarim të pagës reale në Tatime. Por debatet janë ndezur më tepër për borxhet që Idrizi ka paguar dhe që janë detyrime që i përkasin bashkisë, për të cilat shpesh kanë ardhur ultimatume nga FIFA, madje ka pasur edhe ndëshkime për vonesat.

Çështja është e hapur, pasi llogaritë vijojnë të jenë të bllokuara nga përmbarimi, tani edhe për 20 milionë lekë të tjerë. Nga këta, 15 milionë i përkasin vitit 2012 dhe janë shpenzuar për 5 numra telefoni dhe 50 karta rimbushëse. Po ashtu, 5 milionë lekë u përkasin detyrimeve ndaj shtëpive me qira të ish-trajnerëve. Gazeta mëson se shtëpitë me qira janë marrë nga ish-trajnerët Ernest Gjoka dhe Hulian Rubio. “Ai (i referohet Shpëtim Gjikës), që e do shumë Flamurtarin, i bëj thirrje të vijë ta paguajë këtë detyrim. Çfarë borxhi kam unë? Ke qenë presidenti i lavdishëm i Flamurtarit, hajde bëje pagesën. Ose thuaj nuk kam dhe e paguaj unë, por reago. Po të pres të vish ose do vij të gjej unë”, ishte “kërcënimi” që i bënte administratori në atë kohë ish-kryebashkiakut. Por nga Gjika nuk pati asnjë reagim.

Hera e fundit që Idrizi i bëri thirrje Gjikës nëpërmjet gazetës ishte viti 2020. Atëherë bëhej fjalë për 600 mijë lekë të vjetër dhe që ishin detyrime të abonimit të paketës së “Digitalb”-it të ishtrajnerit Ernest Gjoka. “Tani duhet të paguaj edhe për ‘Digitalb’-in e televizorit të Ernest Gjokës. Erdhi burri i botës ma kërkon mua. Pavarësisht problemeve që unë kam me Gjokën, që nuk dua ta shikoj me sy, unë nuk e besoj që ky të jetë detyrim i tij.

Ai nuk merret me këto gjëra, të lërë detyrime pas apo të ikë pa paguar, nuk i bën këto. Edhe ky është detyrim i Gjikës si pjesë e kontratës me Gjokën”, thoshte në atë kohë Idrizi. Që pas kësaj deklarate, Sinan Idrizi nuk e zuri më në gojë personalisht Shpëtim Gjikën, por kur u referohet borxheve të vjetra, i drejtohet institucionit të bashkisë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"