“Ne vuajmë me të voglat”, ish-trajneri sheh pikët e plota. Xhafa: Nuk është i njëjti Elbasan, fiton Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2023 | 16:48

“Ne vuajmë me të voglat”, ish-trajneri sheh pikët e plota. Xhafa: Nuk është i njëjti Elbasan, fiton Flamurtari

Fjodor Xhafa e sheh Flamurtarin në rrugë të mbarë. Nuk e shqetësojnë luhatjet e javëve të para dhe sidomos tani që kuqezinjtë kanë kapur ritmin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi thekson se kishin nevojë për kohë dhe u bë mirë që iu dha. Evidenton se skuadra e vjetshme kishte më shumë fantazi në ofensivë, por mendon se edhe tani prodhojnë shumë dhe vend për panik nuk ka.

fjodor-xhafa

Nuk kishte si të mos ndalej edhe te ndeshja e javës së 8-të, që vlonjatët i vendos përballë Elbasanit. Edhe pse nuk është më i njëjti ekip ku ai ka luajtur në sezonet e largëta 2007- 2009, nostalgji ka. Verdheblutë i cilëson pretendentë për ngjitjen, por jo problematik për Flamurtarin.

Flamurtari vazhdon të jetë larg kreut, por rritje ka pësuar. Si e shikon ecurinë në këto 7 javë?

Ka ndodhur ajo që e kanë prekur pak a shumë të gjithë. Ishte diçka që donte kohën e vet. Ekipi duhet të hynte në ritmin e tij dhe të harmonizoheshin lojtarët e rinj me ata të vjetrit, por edhe me idetë e trajnerit. Është një grup i mirinvestuar dhe ishte normale që herët ose vonë do të hynin në rrugën e duhur.

Çfarë nuk ka shkuar, pse këto luhatje?

Bërthama është ruajtur. Nëse do ta krahasojmë me ekipin e sezonit të shkuar, kishte më shumë fantazi përpara. Tani duhet të krijojmë në mënyra të tjera. Jo më me individualizma siç bënin lojtarët e një sezoni më parë. Kështu që, është pak harmonizim idesh dhe përshtatje me lojtarët e rinj që kanë ardhur dhe që kanë tipare të ndryshme. Por, përderisa prodhojnë dhe shkojnë deri te porta kundërshtare, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Me Elbasanin është një ndeshje e rëndësishme, por e vështirë. Ju si e shikoni?

Elbasani është vërtet një ekip që synon të ngjitet në elitë, por për ne ndeshja më e vështirë është me ekipet më të dobëta. Dhe derisa po e listojmë kundërshtarin te pretendentët, e ka vetëvlerësimin brenda. Me ekipet më të dobëta në letër, ka një ndjenjë nënvlerësimi që vjen natyrshëm.

Është kjo ndeshja që Flamurtari duhet të tregojë sa vlen?

Mendoj që po. Kjo është një ndeshje ku duhet të tregojmë cilësinë që kemi.

Ju keni luajtur me Elbasanin në sezonin 2007-2009, si e shikoni skuadrën aktuale?

Kanë ndryshuar shumë gjëra. Nuk është më ai Elbasan me të cilin kam luajtur unë. Kam kaluar mirë aty. Kam nostalgji për bashkëlojtarët, që një pjesë e mirë janë sot edhe pjesë në stafin të ekipit. Me Nevilin kemi luajtur futboll bashkë, por edhe me të tjerët. Sidoqoftë, ne tani do t’i bëjmë llogaritë si Flamurtar (qesh).

Cilët janë pretendentët për këtë sezon?

Ekipet tani po formësohen dhe ka shumë kohë para për të dalë në konkluzione. E megjithatë, një ide po krijohet se kush do të jetë në këtë “valle”. Duke filluar nga Flamurtari, unë shoh si pretendentë edhe Elbasanin me Bylisin. Ndërsa të tjerat janë në ato ujërat e vazhdimësisë së tyre.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"