Në Krujë dalin hapur: Presim një nder nga Laçi kundër Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2019 | 9:18

Në Krujë dalin hapur: Presim një nder nga Laçi kundër Tiranës

Barazimi ndaj Tiranës në kryeqytet është cilësuar pozitiv në kampin krutan, pasi dy javë nga fundi i kampionatit, shpresat për të qëndruar në Superiore janë të mëdha. Duke parë edhe kalendarin, në Krujë besojnë se rivali i tyre direkt, Tirana, do të ndalet këtë javë në Laç.

kastrioti

Madje këtë bindje ka edhe një prej zbulimeve të këtij sezoni te krutanët, Julian Shehu. Mesfushori i talentuar foli pas ndeshjes në “Selman Stërmasi’, duke theksuar se ekipi i tij mund të fitonte ndaj bardhebluve.

“Ishte një ndeshje e vështirë, sepse të dyja ekipet donin që të mos dilnin pa pikë, sidomos ne. Kishim gjithë javën që e përgatisnim sfidën, për ta hequr presionin dhe për të dhënë më të mirën në fushë. Besoj se barazimi nuk ishte rezultat i keq për ne, por kishim edhe raste për të shënuar gola. Fatkeqësisht nuk arritëm të shënonim. Besoj se ky barazim do të na ndihmojë shumë, pasi shpresojmë që Laçi të fitojë javën e ardhshme ndaj Tiranës.

julian shehu

Në këtë mënyrë do të përfitojmë ne. Shpresojmë që të ndodhë kjo gjë dhe në fund të dalim ne të fituar”, deklaroi Shehu, i cili luan sezonin e tij të parë në Superiore.

Ndërkohë, Kastrioti luan ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Teutës së vendit të tretë. Një takim delikat për skuadrën e Bledar Devollit, që nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin Taulant Marku. Ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë në sfidën ndaj “djemve të detit”. Trajneri Devolli do të mendojë për një tjetër lojtar në majën e sulmit kundër durrsakëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"