“Në elitë kthehem me Erzenin”, Rezi tregon oferatat e refuzuara nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 23:48

“Në elitë kthehem me Erzenin”, Rezi tregon oferatat e refuzuara nga Superiorja

Erzeni ka bërë disa afrime me peshë gjatë merkatos së verës, por më i godituri pa dyshim është ai i sulmuesit Ermir Rezi, pjesë e Kamzës sezonin e fundit.

Rezi-sot

Një lojtar me përvojë që është mirëpritur në mjedisin futbolldashës të Shijakut, pasi ai ka luajtur edhe 3 sezone më parë me Erzenin. Në prag të kampionatit të ri, sulmuesi ka folur për “Panorama Sport”, ku jep mendimet e tij për garën në Grupin A dhe objektivin e skuadrës.

Ermir, rikthimi juaj në Shijak është pritur mjaft mirë, pasi ju njohin mirë. Pse vendosët të luani sërish me Erzenin në Kategorinë e Parë?

Kam kontribuuar tri vite te Kamza në Kategorinë Superiore, por ndodhi që kjo skuadër u penalizua, duke rënë nga Kategoria, ndaj isha i detyruar të zgjidhja një skuadër tjetër. Kam pasur kërkesa edhe nga ekipe të Superiores, por pranova ofertën e Erzenit, sepse kam njohje të forta me këtë skuadër dhe mbresa pozitive të para tri viteve, kur kam luajtur këtu.

Faza përgatitore ka qenë e gjatë dhe e lodhshme për ju. Si e vlerësoni gjendjen e skuadrës?

Është e vërtetë që Erzeni është ndër skuadrat e pakta, ndoshta dhe në Kategorinë Superiore, që ka zhvilluar me seriozitet plot dy muaj stërvitje në verë. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe janë bërë afrime të tjera cilësore, kështu që them me bindje se skuadra është e plotësuar dhe në grup ka mjaft konkurrencë.

Rezi

Erzeni ka zhvilluar mjaft ndeshje miqësore. A ka funksionuar sulmi ku ju bëni pjesë?

Ndeshjet miqësore kanë qenë mjaft të rëndësishme dhe na kanë shërbyer për të formuar një ekip sa më kompakt dhe harmonik në të tria repartet. Unë kam zhvilluar 5 ndeshje të tilla dhe kam shënuar 4 gola, një shifër që më duket e kënaqshme. Mendoj se sulmi ka funksionuar mirë.

Si ju duket ambienti në ekip, stafi teknik dhe interesi i drejtuesve të klubit?

Jemi një ekip solid, me një shoqëri të kënaqshme, me një interesim të jashtëzakonshëm si nga drejtuesit e Erzenit, përfshirë dhe stafin teknik, ashtu edhe nga bashkia. Patjetër që do të përmendja edhe tifozërinë e zjarrtë shijakase.

Cili është objektivi që ka Erzeni në këtë kampionat?

Objektivi i Erzenit këtë vit është ngjitja në Superiore, ndaj dhe e pranova ftesën, duke e ditur këtë objektiv. Pranova të jap kontributin tim që Erzeni të realizojë këtë vit ëndrrën për të hyrë në elitën e futbollit shqiptar. Natyrisht, kjo kërkon përkushtim nga futbollistët dhe ne e dimë shumë mirë.

Meqenëse jemi ndër pretendentët kryesore për në Superligë, nga niveli i futbollistëve, them se i vetmi rezultat i pranueshëm për ne është fitorja. Kam dëshirë të shënoj, por më e rëndësishme është që të fitojë skuadra. Futbolli është lojë kolektive dhe fitorja është kontribut i të gjithëve.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"