“Në Elbasan dolën në pah problematikat e Kategorisë së Parë”, drejtori Ferko analizon situatën: Flamurtari fituesi moral

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 22:24

“Në Elbasan dolën në pah problematikat e Kategorisë së Parë”, drejtori Ferko analizon situatën: Flamurtari fituesi moral

Alfred Ferko e shikon Flamurtarin e Eqerem Memushit, të fortë dhe agresiv. Për “Panorama Sport”, drejtori sportiv thotë se Flamurtarit po i bëhen padrejtësi. Pavarësisht këtyre situatave, Ferko deklaroi së janë të gjitha mundësitë për ngjitjen në Superiore.

alfred ferko

Ferko, si e përshkruani ndeshjen me Elbasanin?

Ndeshjen me Elbasanin e kishim përgatitur për ta fituar. Ekipi luajti dhe interpretoi shumë mirë takimin. Në pjesën e dytë, edhe pse me 10 vetë, treguam karakter. Besoj se jemi fituesit moral të ndeshjes. E çuditshme, sistemi VAR në këtë takim në Elbasan nxori të gjitha problematikat e kësaj kategorie.

Ju thoni se ndiheni të “vjedhur” nga takimi me Elbasanin?

Stoli ynë gëzoi në një moment legjitim për shënimin e golit të dytë, por këta njerëz nuk të lënë të gëzosh. Është për të ardhur keq. U duk sikur ishte një ndeshje në Superiore, por…

Çfarë doni të thoni?

Ata që drejtojnë futbollin shqiptar duhet të mendojnë se është detyrë e tyre që futbollin t’ua kthejnë përsëri tifozëve dhe qyteteve. Mbreti i famshëm që është në Tiranë s’mund të vazhdojë me këtë politikë. Pse Superiorja është kaq e varfër, e trishtë?

Eqerem Memushi, trajneri i ri. E shikoni zgjedhje të duhur?

Besoj se u mor një vendim pas një ndeshje shumë të dobët me Besën. Ndryshimi i trajnerit gjithmonë ka një ndikim pozitiv. Duke afruar Memushin, një trajner me eksperiencë të gjatë që e njihte Flamurtarin, menduam se do t’i jepnim skuadrës një implus tjetër. Në Elbasan u pa që ekipi ishte i mobilizuar dhe zhvilloi ndeshje për t’u admiruar. Jemi shumë të kënaqur nga kjo ndeshje, por kjo duhet të ketë edhe vazhdimësi. Jemi fituesit e mëdhenj moral të këtij takimi.

Sa janë mundësitë që Flamurtari të ngjitet në Superiore?

Mundësitë reale janë. I shkojmë deri në fund. Na lejon matematika dhe kjo është gjëja kryesore për të arritur ngjitjen direkte. Kemi investuar dhe afruar lojtarë shumë cilësorë në merkaton e janarit. Besoj se ata do të na ndihmojnë për të realizuar objektivat tanë.

Nga cilët lojtarë prisni më shumë?

Unë pres më shumë nga Indio Oliveira, pasi ka shumë cilësi. Por edhe nga i gjithë grupi, pasi ka kualitet. Nuk janë shprehur të gjithë në fazën sulmuese. Na ngroh grinta dhe interpretimi i lojës. Memushaj ka një grup shumë të mirë dhe kohën për të vendosur në plan idetë e tij. Vlorës i ka pëlqyer futbolli i bukur dhe këtë gjë do ta bëjë Memushi.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Burrelin?

Ndeshja me Elbasanin rriti entuziazmin në skuadër. Çdo takim duhet përgatitur me kujdes. Nuk na tremb asgjë. Nisur nga paraqitja në Elbasan, besojmë që vazhdimi do të jetë më i mirë. Duhet që të luajmë për të fituar çdo ndeshje. Jemi krijuar vetëm për të fituar.

Idrizi i ka ftuar të gjithë në bashkëbisedim për Flamurtarin…

Pas ndeshjes me Besën ai ishte i mërzitur, por pas Elbasanit e ka duartrokitur gjatë skuadrën. Ishte një deklaratë shumë qytetare që Idrizi t’u drejtohej zotërinjve në Tiranë në “Panorama Sport”, për mënyrën se si kanë menaxhuar futbollin shqiptar kundrejt Flamurtarit.

E mbani mend çfarë ndodhi vjet me Dinamon? E mbani mend ndeshjen e turpshme në Burrel? Një ndeshje tendencioze. Në Elbasan ishte kulmi ku VAR-i i famshëm ndërhyri edhe për një faull. Nisma e Idrizit është e drejtë dhe interesante. Të shikojmë se kush do të reagojë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"