Në Berat po humbasin shpresat e mbijetesës, mesfushori Erald Hyseni i beson matematikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 16:49

Në Berat po humbasin shpresat e mbijetesës, mesfushori Erald Hyseni i beson matematikës

Pas humbjes së pësuar në transfertë me Burrelin, në Berat kanë nisur të veniten gjithnjë e më shumë shpresat për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Ky pesimizëm vjen nga kalendari i vështirë në vazhdim, ku pritet që Tomori të ketë shumë sprova të vështira, por edhe nga situata që sa vjen dhe përkeqësohet.

tomorii

Përkundrejt deklaratave optimiste që bëhen publike para çdo ndeshjeje zyrtare, ajo që vlen të veçohet, është se rezultatet po hedhin poshtë të gjitha deklaratat optimiste që qarkullojnë brenda dhe jashtë skuadrës. Nga radhët e Tomorit vjen një zë ndryshe, që kërkon ta mbajë të karikuar ekipin dhe të injektojë sa më shumë besim për mbijetesën e mundshme. Matematikisht shanset ekzistojnë.

Mesfushorit organizator dhe me eksperiencë, beratasi Erald Hyseni në lidhje me situatën, për “Panorama Sport” deklaroi: “Me gjithë përpjekjet që bën skuadra në fushën e lojës, duke treguar se luajmë një futboll të pastër, duket se gjithnjë e më shumë kemi pasur si kundërshtar të fortë, jo vetëm fushën, por edhe gjykimet që nuk po na lënë të marrim atë që meritojmë. Gjykimet po na dëmtojnë imazhin.

Të ndodhur në këto kushte, si skuadër kërkojmë në radhë të parë më shumë respekt për Tomorin. Pavarësisht kësaj situate komplekse dhe pa rrugëdalje në pamje të parë, është matematika ajo që mban gjallë shpresat tona për mbijetesën. Kështu që, bëjmë publik qëndrimin tonë se nuk jemi të dorëzuar, përkundrazi do të luftojmë si ‘toreadorë’ deri në fund të kampionatit për të shpëtuar Tomorin”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"