Në Berat bëjnë llogaritë e shpëtimit, ish-kapiteni Edmond Gjata: Ja si ia del Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 18:18

Në Berat bëjnë llogaritë e shpëtimit, ish-kapiteni Edmond Gjata: Ja si ia del Tomori

Beratasit nuk humbasin kohë sa i takon përgatitjeve. Ata u janë rikthyer seancave stërvitore menjëherë pas humbjes 4-1 me Flamurtarin. Pas analizës së humbjes së fundit, skuadra ka nisur nga puna, një zgjedhje kjo e diktuar edhe nga pozicioni delikat që kanë në renditje.

gjata

Në Berat, pasi janë njohur me kalendarin e fazës tretë, kanë nisur që të projektojnë skemën e shpëtimit të mundshëm. Kalendari i fazës së tretë nuk është fort bujar, pasi e nisin me dy transferta radhazi në Ballsh dhe Peshkopi. Për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i njohur dhe nënkampioni i vendit në sezonin 1999–2000, Edmond Gjata,  ka kërkuar më shumë vlerësim dhe besim nga skuadra, si dhe stafi për ta menaxhuar sa më mirë fazën e tretë.

GJATA – “Kalendari për arsye të renditjes të penalizon me minus një ndeshje shtëpie, përveçse ka një start me dy ndeshjet e para në transfertë. Por nuk është se nuk të jep shpresë, pasi ndeshjet e shtëpisë janë ndaj skuadrave të barabarta dhe mendoj se për të shpëtuar Tomorin duhen pikët maksimale në shtëpi. Por, i nevojiten edhe të paktën dy fitore.

I takon stafit teknik të përgatisë si duhet skuadrën, në radhë të parë në aspektin psikologjik, si ta përballojnë së bashku këtë situatë, sepse na kanë zhgënjyer shumë deri tani. Më e rëndësishmja është se në këtë situatë nuk u mungon mbështetja financiare. S’ka më justifikime, duhet më shumë agresivitet dhe të punohet edhe më shumë me finalizimin. Evidentimi i rasteve të shumta pa shënimin e golave nuk kanë më vlerë”, u shpreh ish-kapiteni Gjata.

EDI SPAHIU  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"