“Ndoji bëri dy zgjedhje, ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën kuqezi”, Bushi: Besoj se kësaj radhe do të kualifikohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2022 | 14:51

“Ndoji bëri dy zgjedhje, ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën kuqezi”, Bushi: Besoj se kësaj radhe do të kualifikohemi

Shqipëria U-21 do të luajë dy sfida miqësore, përballë San Marinos dhe Malit të Zi. Në një konferencë për shtyp, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi, u shpreh se skuadra është gati për këto sfida. Gjithashtu ai foli edhe për zgjedhjen e Andreas Ndoji, i cili do të luajë për Greqinë.

bushi

“Ndoji bëri dy zgjedhje brenda një muaji. Ka qenë një lojtar i rëndësishëm i yni në fillimet e tij kur ka filluar sportin. Te U-17 ka qenë me profesor Xhemën. Vajti sërish te Greqia. Në një kohë që nuk po e merrte Greqi, unë e pash me disa video, me Olimpiakosin B, jo me të parin, më pëlqeu. Kontaktova me prindërit e tij dhe i thash ta mendonin nëse do të ishte pjesë e U-21 përsëri. Po më thanë me shumë kënaqësi. Erdhi u bë pjesë e U-21. Hodhi një firmë që ndryshon federatën që e bën nga greke në shqiptare, sepse duhet një firmë. Pastaj u kthye në Greqi, e mori ekipi i parë. Tha që nuk do të luajë më me Shqipërinë, do të luajë për Greqinë. Nuk ka asnjë lloj problemi për ne. Ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën e Shqipërisë. Nëse ai është me dy mëndje… Mbase ka dhe të drejtë, është rritur atje, ka bërë shkollën atje, ka lindur atje, nuk ka asnjë lloj problemi për ne. Thjesht ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën e Shqipërisë dhe mos të ‘luajnë’ shumë me ne. Lojtarë ka Shqipëria plot. Unë i uroj suksese Ndojit atje ku do të jetë.

Rikthim i Ndojit? Ne mirëpresim çdo lojtarë. U bë dhe kjo puna hajde-ik. Nuk mendoj se do të ketë dhe rikthim të tij.

Pavarësisht se unë e kam thënë gjithmonë që objektivi është për të furnizuar ekipin A, objektivi im personal është të kualifikohet U-21 në Kampionatin Europian. Por duhet të bashkohen shumë gjëra bashkë që U-21 të kualifikohet në Europian. Shumë lojtarë nga U-21 shkon te ekipi i parë. Ne jemi në një periudhë tranzicioni. Ekipi i parë kërkon shumë lojtarë dhe na ka penalizuar në një farë mënyre. Por edhe me lojtarët që kemi mendoj se do të bëjmë mirë. sot nëse je i mobilizuar, nëse je i përqendruar, nëse jep maksimumin, nëse sakrifikon, nuk ke frikë asnjë lloj ekipi, as Gjermaninë, as Spanjën, heq dy ekipe që unë kam luajtur Franca dhe Anglia, që janë të papërballueshëm. Kurse ekipet e tjera, nuk ka asnjë lloj problemi. Edhe ata lojtarë që janë te lista mund ta përballojnë pa asnjë lloj problemi. Tani është bërë shumë i lexueshëm nëse punon. Në kuptimin që ne mund ta kuptojmë shumë mirë ekipin spanjoll ose atë gjerman. Mendoj që edhe këta çuna mund të bëjnë mirë. aty ka shumë lojtarë që nuk na kanë ardhur. Ngaqë nuk është datë e FIFA-s. Prisja ata që janë më cilësorët tanë, por do të jenë në miqësoret e marsit.

Kur presidenti të përmend emrin është një motivim për çdo trajner. Gjithsesi ne jemi të fokusuar te U-21, ne e bëjmë në maksimum punën dhe ndihemi shumë mirë. është njësoj kur je te U-21 ose Kombëtarja A. Të gjithë luftojmë për një objektiv dhe objektivi është që Shqipëria të kualifikohet për një Europian ose Botëror.

Unë doja të veçoja diçka. Këtë vit Superiorja nuk ka shumë lojtarë për të furnizuar U-21. Është rast unik në Europë ose në Botë. Një lojtar U-21 që mund të luajë në formacion i rregullt është Alivoda. Kjo bie te klubet që duhet të aktivizojnë më shumë lojtarë të rinj, sepse nuk mund të ndërtohet ekipi vetëm te një lojtar siç është Alivoda. Nuk dua të përmend edhe të tjerë siç është Buxhelaj. Këta janë lojtarët më kreysor që po luajnë në kampionatin shqiptar. Të tjerët janë pa minuta. Do të doja shumë që klubet shqiptare të aktivizonin më shumë lojtarët e rinj. T’i jepnin besimin të rinjve. Është rasti i Buxhelajt që i dhanë besimin dhe po bën shumë mirë. është rasti i Alivodës që profesor Mireli (Josa) i dha mundësinë dhe ai e justifikoi veten. Mendoj se çdo klub duhet t’i japë mundësinë.

Arda (Kurtulan) mendoj se është një risi sepse ka qenë një lojtar i Fenerbahçes dhe ka debutuar si lojtari më i ri i të gjitha kohërave në kampionatin turk mesa di unë. Është një supertalent. Do t’i shërbejë futbollit shqiptar. Ai luajti kundër nesh me Maqedoninë, por një lidhja ime me babain e tij që kemi luajtur bashkë në Turqi, e bëri që të vijë te Shqipëria. Unë dua të falënderojë Ardën, për zgjedhjen e tij, sepse e ka dhe një prejardhje nga Shkupi me gjyshin e tij. Unë e falënderojë shumë që u bë pjesë e Shqipërisë.

Kemi lojtarë që nuk na i lejnë klubet. Frroku i Panathinaikosit i cili dëmtoi ligamenet është thuajse një vit jashtë. Berisha lojtar i Leçes, klubi nuk e la që të vinte. Kemi disa lojtarë që nuk i kanë lënë klubet. Gjithsesi dhe këta që janë do të bëjnë mirë.

Shumë emra nuk janë shumë të mëdhenj, por mund të bëhen me kalimin e viteve nëse punojnë. Kemi ekip të mirë mendoj unë. Mendoj se nuk kemi emra, por grup. Edhe pse i humbëm ndeshjet me Kroacinë dhe Maqedoninë. Jemi shumë të lumtur si staf. Shpresoj mos të kemi mendime, unë besoj se mund ta kalojmë grupin këtë vit. Pres që ta tregojnë me San Marinon dhe Malin e Zi. Shpresoj që ekipi të japë maksimumin.

Ne na mungon një sulmues i mirë që të shënojë gola. Kemi sulmues shumë të mirë siç është Toçi, siç është Shpendi, por jo sulmues goli. Një mbrojtës duhet ta gjejmë. Shpresoj që Preka, i cili nuk është me ne sepse nuk është aktivizuar me Partizanin, të kthehet sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Me ardhjen e Kurtulanit ne forcohemi shumë në krahët e sulmit. Jemi ekip i mirë. doja të veçoja dhe Bajazitin që vjen nga Fulhami, do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë në të ardhmen. një mesfushor që do ta krahasoja me Demollarin. Një lojtar shumë cilësor. Ju do ta shikoni me U-21 dhe shumë shpejtë edhe te Kombëtarja A”, u shpreh Alban Bushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"