Ndeshja ndaj Egnatias, flet Emiljano Çela: Si finale për Kastriotin, do të jetë sfidë e fortë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 11:14

Ndeshja ndaj Egnatias, flet Emiljano Çela: Si finale për Kastriotin, do të jetë sfidë e fortë!

Kastrioti do të sfidojë Egnatian në ndeshjen që do të luhet ditën e sotme në orën 15:00 në qytetin e Rrogozhinës. Përpara kësaj përballjeje, për “Panorama Sport”, është prononcuar trajneri i krutanëve, Emiljano Çela. Ai fillimisht foli për pauzën e kampionatit dhe më pas analizoi edhe skuadrën e Egnatias. Gjithashtu Çela e mbylli duke thënë se do të bëhet një ndeshje e bukur dhe e fortë.

EMILJANO CELA

PAUZA – “Me thënë të drejtën këto pauzat në mes të kampionatit nuk është se neve trajnerëve nuk na pëlqejnë, pasi na ulin ritmin e ndeshjeve. Në një kohë që ekipi vjen gradualisht duke u përmirësuar, vjen kjo pauzë që na mban disi në vend, gjithsesi kemi dhënë ngarkesat e duhura, kemi menaxhuar mirë dëmtimet që disa lojtarë kishin. I kemi rikuperuar dhe kjo ndeshje që për ne është si finale na gjen gati”, tha fillimisht Çela.

NDESHJA – Në lidhje me takimin e sotëm, Çela u shpreh: “Egnatia është një klub dhe një ekip që më pëlqen, e kam vlerësuar edhe vjet nga mënyra se si organizohet dhe gjithmonë mbetet një ekip i mirë e i fortë.

Këtë vit kanë ndryshime në organikë, janë bërë një ekip më i mirë dhe më cilësor, por dhe ne kemi bërë përforcimet tona, plus që në pjesën dërrmuese të ekipit kemi kohë që punojnë dhe shumë veprime tashmë janë të automatizuara.

Për këtë ndeshje na rikthehen të gjithë lojtarët e dëmtuar, ndaj tani e kemi kontingjentin e plotë. Mendoj që do të bëhet një ndeshje e fortë dhe e bukur, e pastaj të fitojë kush ta meritojë”, përfundoi Çela.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"