Ndeshja ndaj Apolonisë, flet kapiteni i Bylisit: Kemi vetëm një rrugë, kthimin në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 10:44

Ndeshja ndaj Apolonisë, flet kapiteni i Bylisit: Kemi vetëm një rrugë, kthimin në elitë!

Stivian Janku është një nga pikat e forta të Bylisit dhe me shumë eksperiencë te ballshiotët duke qenë se ka luajtur si titullar në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Në Ballsh e vuajnë ende eliminimin dramatik në Kupë në Korçë dhe këtë e pohon edhe kapiteni Janku.

janku

“Ndaj Skënderbeut në Kupë ka qenë një nga ndeshjet më të bukura që kemi bërë, madje kam besuar se do kualifikoheshim në Korçë. Ka qenë një ndeshje që u vendos nga fati, pasi me atë që dhanë ekipet në fushë ne meritonim më shumë. Na duartrokitën edhe tifozët korçarë, të cilët si kapiten i Bylisit i falënderoj. Tashmë duhet të shohim përpara. Këto janë të papriturat e futbollit.

Duhet të përqendrohemi tek objektivi ynë kryesor, kampionati dhe kthimin në Superiore”, tha fillimisht Stivian Janku. Bylisi nesër pret Apoloninë dhe mbrojtësi është optimist: “Kemi ndeshje delikate deri në fund dhe kalendari nuk është edhe aq i lehtë sa duket edhe pse jemi të pamposhtur deri tani.

Duhet të jemi sa më shumë vigjilentë dhe të bëjmë më të mirën në çdo fushë. Nuk është momenti të gabojmë. Duhet të vazhdojmë me fitore dhe lojëra të bukura e bindëse, sidomos në këtë sfidë që luajmë para tifozëve tanë.

Jam nga lojtarët që kam më shumë vite te Bylisi, por edhe lidhjet e mia me Ballshin janë të hershme. Kështu që, u bëj thirrje tifozëve që ka ardhur momenti të na përkrahin, sidomos në Ballsh. Bylisi ka vetëm një rrugë, rikthimin në Superiore”.

ERION SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"