Ndeshja me Lushnjen, trajneri i Tërbunit pret sot përmbysjen me rrotacion në Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2022 | 12:24

Ndeshja me Lushnjen, trajneri i Tërbunit pret sot përmbysjen me rrotacion në Kupën e Shqipërisë

Tërbuni është gati për të pritur Lushnjën. Sfida do të zhvillohet në kompleksin e Pezës, pas dakordësisë me dy ekipet. Pukjanët e kanë humbur ndeshjen e parë në shifrat 2-0, e megjithatë Alert Alcani beson te përmbysja. Përtej mungesave, trajneri për “Panorama Sport” thotë:

alert alcani

“Luajmë ndeshjen e kthimit për Kupë. Do të na mungojnë sërish Tafili, Rezi, Krasniqi dhe disa futbollistë të tjerë.

Pavarësisht këtyre mungesave, ne do të hyjmë në fushën e lojës si të barabartë me synimin për të tentuar kualifikimin.

Ekipi lushnjar është më i favorizuar, pasi ka shënuar dy gola, por unë kam besim se ne do të arrijmë të barazojmë e mund edhe t’i tejkalojmë.

Ekipi im e njeh shumë mirë fushën e Pezës, pasi këtu stërvitet çdo ditë, ndaj them që mund të ketë surpriza.

Nesër (sot) do të kenë mundësinë për t’u aktivizuar disa lojtarë, që akoma nuk janë aktivizuar në ndeshjet për kampionat.

Arsyeja, nuk kanë qenë të gatshëm.

Pavarësisht se është ndeshja e kthimit të Kupës, ne nuk do ta lëmë pas dore, edhe pse e kemi vëmendjen e përqendruar te kampionati.

Nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, të shtunën do të luajmë në Vlorë me Flamurtarin për kampionat. Tërbuni për momentin ndodhet në vendin e tretë në klasifikim, por ne do të luftojmë për të kapur kreun. Shanset janë, pasi jemi shumë pranë”.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"