Ndeshja kundër bardhebluve, flet zv.trajneri i Kastriotit: Marrim pikë ndaj Tiranës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2021 | 11:30

Ndeshja kundër bardhebluve, flet zv.trajneri i Kastriotit: Marrim pikë ndaj Tiranës!

Kastrioti do të ndeshet sot me Tiranën në “Air Albania”. Për krutanët në prag të kësaj sfide për gazetën ka folur Gëzim Rama, numri dy i krutanëve. Rama thekson se pavarësisht ecurisë së deritanishme dhe humbjes së fundit me goleadë ndaj Kukësit, ka besim se skuadra do të reagojë.

GEZIM RAMA

Rama, një humbje që përveç shifrave dhe rezultatit, duket sikur e zhyt edhe më shumë Kastriotin në fundin e tabelës?

Të them të vërtetën, duke parë rezultatin, shumëkush mund të mendojë që është e vërtetë kjo pyetje që ju bëni. Po të analizojmë lojën dhe po ta shohim lojën me detaje, ne kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, me shumë raste për shënim. Por, siç kemi vuajtur gjatë gjithë kësaj pjese të sezonit, kemi shumë mungesë në f azën e konkretizimit. Nëse do të kishim konkretizuar me gol dy apo tri raste që kishim, nuk mendoj se ndeshja do të kishte pasur atë rezultat.

Si do të arrini ta motivoni skuadrën për ndeshjen e radhës, kur janë vetëm dy ditë kohë?

Është avantazh fakti që kemi më pak kohë për ndeshjen e radhës, pasi nuk kemi kohë për të diskutuar shumë për atë që ka kaluar. Kështu që ekipi është i angazhuar dhe shumë i motivuar për ndeshjen e radhës. Ne, të gjitha ndeshjet i kemi bërë me shumë lojë cilësore, por fati nuk ka qenë me ne.

Mungon Rami, rikthehet Kodra. Si është gjendja e skuadrës para Tiranës?

Me thënë të drejtën kemi pak mangësi në kontingjent, por kjo nuk do të thotë që duhet të krijojmë alibi për ndeshjen e radhës. Të gjithë lojtarët e stolit janë të gatshëm dhe janë në një nivel me ata të formacionit. Kushdo që të luajë do të japë maksimumin, shpresojmë shumë që të mos dalim pa pikë.

Sa e vështirëson ndeshja e fundit aspektin psikologjik të skuadrës, pasi luani edhe me vendin e parë të kampionatit?

Nuk mendoj se ka të bëjë aspak me gjendjen psikologjike. Tirana është ekip i fortë dhe fazën e parë ishim ekipi i parë që e ndaluam. Do të jetë një lojë e fortë, ndeshje e hapur që do t’i ketë të tria rezultatet brenda.

Pra, besoni se mund të arrini një rezultat pozitiv në këtë sfidë…

Pa diskutim që po. Ne kemi luajtur mirë në të gjitha fushat e Superiores. Asnjë ekip nuk na ka mposhtur me lojë. Detajet dhe episodet kanë qenë ato që na kanë ndëshkuar.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"