Ndeshja globale mes Interit e Juves, Lukaku sfidon “mbretin” Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 21:12

Ndeshja globale mes Interit e Juves, Lukaku sfidon “mbretin” Ronaldo

Romelu nuk ka frikë të ballafaqojë golat dhe kurrikulumin: nuk është në këto pika që vendoset Inter-Juve.

ronaldo lukaku

Zikaltrit po sulmojnë “fronin”: për t’ia arritur, për të nisur t’i japin fund dominimit, i duhen përgjigjur “gjigantit” bardhezi, Kristiano Ronaldos nga Madeira, i cili ka numra me tri shifra në çdo statistikë, një listë me çmime të fituara të gjatë sa bibliografia e një teze diplomimi dhe një uri të pafund.

Për t’iu përgjigjur gjigantit nevojitet një gjigant, ndaj askush tjetër përveçse Lukaku nuk mund të vendoset në ring, nën sytë e 75 mijë spektatorëve, duke karikuar në krahë ëndrrat e një tifozërie. Ëndrra që humbja në Barcelonë, për nga mënyra se si u regjistrua, nuk i ka shuar. Belgu ndeshjen në “Camp Nou” e ndoqi nga televizori, në apartamentin e përkohshëm në Milano.

Mungesa, pas kujtimeve të hidhura të një sezoni më parë në atë stadium, nuk do të ketë qenë e lehtë. Por, nëse një javë më parë Konte i kërkoi të luante me atë dhimbje në shpinë, të martën ishte pikërisht trajneri, njëzëri me stafin mjekësor, që e bindi të mos nisej me skuadrën në Spanjë. Katërcepsi femoral i majtë e shqetësonte, ndeshja me Juven ishte e shënuar në kalendar me të kuqe: mbërritja me 18 pikë nga 18 është një stimul më shumë, por pa Lukakun ndeshja do ishte më e ndërlikuar, veçanërisht për shkak të mungesës së Sançezit.

Romelu mungoi në sfidën e parë “gjigante” të sezonit, por do ketë mundësi të luajë atë kundër kampionëve në fuqi: stërvitja në palestër e zhvilluar të mërkurën dhe seanca e veçuar e dy ditëve të fundit kanë lejuar të kalohet dhimbja dhe të dielën do formojë dyshen e sulmit me Lautaron. Është personi i duhur për të mbajtur në alarm Bonuçin dhe De Ligtin. E ndoshta edhe për të entuziazmuar me një gol “San Siro”-n. Juventusi e kërkoi këtë verë, mund të ishte transferuar atje, por preferoi të thyente dominimin në vend që ta ruante.

CR7

Megjithatë, do ketë edhe sfidën direkte me “njeriun e statistikave”: Kristiano Ronaldon, i cili gjatë këtyre muajve te Juventusi, falë shifrave, emocioneve, karizmës dhe fjalimeve motivuese i ka vendosur të gjithë dakord. Kundër Bajer Leverkusenit luajti ndeshjen numër 50 me Juven dhe shënoi golin numër 32.

Është nën mesatare krahasuar me të kaluarën, por mbetet megjithatë një numër një i kohëve moderne. Sivori, Boniperti, apo Çarls kishin shënuar më shumë, por mes lojtarëve të këtyre viteve vetëm Higuain kishte arritur në kuotën 32 si ai. Me shumë mundësi do jetë edhe dyshja juventine përballë Handanoviçit nesër në 20:45.

CR7 kaloi edhe Iker Kasijasin për ndeshje të fituara në historinë e Ligës së Kampionëve (102) dhe arriti Raulin për numrin e kundërshtarëve ndaj të cilëve ka shënuar: 33. Në të dyja klasifikimet është numri një në absolut. Dhe në këtë fundjavë Juvja do të ketë nevojë për Ronaldon më të mirë, atë që tërheq skuadrën me shembull, ndoshta me një fjalë.

Kur u transferua në Torino, e nisi disi keq por u shfaq në ndeshjen e parë të rëndësishme: Juve-Napoli në “Allianz Stadium”, Shezni pësoi gol, më pas doli në skenë portugezi, i cili shërbeu asist për Manxukiçin, goditi shtyllën përpara golit të dytë të Marios dhe mori pjesë në golin e tretë të Bonuçit. Pak më shumë se një vit më pas Juventusi ka përballë një tjetër konkurrente për titull dhe Ronaldo është lojtari nga i cili pritet të zhvendosen ekuilibrat.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"