Nderohen Fergi dhe Venger, emrat e ikonave në “Hollin e Famës”. Francezi: Ishim si dy boksierë të çmendur, tani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 11:30

Nderohen Fergi dhe Venger, emrat e ikonave në “Hollin e Famës”. Francezi: Ishim si dy boksierë të çmendur, tani…

Sër Aleks Ferguson dhe Arsen Venger kanë treguar se si e kanë lënë pas të kaluarën dhe janë bërë miq të mirë. Dy ishmenaxherët ishin rivalë të ashpër gjatë viteve të tyre, ndërsa drejtonin stolin e Mançester Junajtidit dhe Arsenalit.

venger ferguson

Tekniku skocez, 81 vjeç, ndërtoi një dinasti në “Old Trafford” pasi ekipi i tij fitoi titullin inaugurues të Premier Ligës në sezonin 1992- ‘93. Ai trofe u pasua nga 12 tituj të tjerë kampionë derisa ai doli në pension në 2012-’13- ën. Por Sër Aleks u përball me rivalitetin e fortë të Arsenalit të Vengerit, pasi 73-vjeçari mori drejtimin e Arsenalit në vitin 1996.

Francezi e udhëhoqi skuadrën e Londrës Veriore drejt tri titujve kampion, duke përfshirë edhe sezonin 2003-‘04, në të cilin “topçinjtë” nuk u mundën asnjëherë. Dyshja kishin shumë përplasje në fushë dhe shpesh luanin lojëra psikologjike në konferencat e tyre për shtyp.

Por “armiqësinë” e tyre tani ata e kanë hedhur pas krahëve. Ferguson ka pranuar se që nga dalja në pension ata kanë filluar të shkojnë për darka dhe madje kanë shkuar së bashku në një restorant në Zvicër.

Ditën e djeshme, kur ata u bënë edhe pjesë e Hollit të Famës së Premier Ligës, u gjendën edhe njëherë përballë njëri-tjetrit. Skocezi tha pas marrjes së vlerësimit: “Ata u bënë një ekip i vështirë për të konkurruar dhe ne të dy donim të fitonim, gjë që na motivoi më tej. Përgjatë viteve që nga pensionimi, ne shkonim për darkë së bashku në një restorant të vogël që ai e njeh mirë në Zvicër.

Ai është një njeri vërtet interesant dhe unë kënaqem me shoqërinë e tij, por gjithsesi është detyra ime që të zgjedh verën”. Venger e konfirmoi diçka të tillë, ndërsa i krahasoi duelet me rivalin e tij të vjetër me atë të “dy boksierëve të vjetër”, duke kujtuar “betejat e vjetra”.

Francezi tha: “Të ndaj këtë vlerësim me Sër Aleksin është një nder i madh për mua. Është si dy boksierë, të cilët luftojnë si të çmendur, por në fund të ditës, ju keni respekt dhe do të jetë një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar me të, për të ndarë një shishe të mirë verë dhe kujtime të betejave tona të vjetra”.

“Hall of Fame” nderon individë që kanë një histori të jashtëzakonshme suksesi dhe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në Premier Ligë që nga themelimi i saj në 1992.

“Jam shumë mirënjohës që jam përzgjedhur në Hollin e Famës së Premier Ligës. Ne gjithmonë kemi dashur t’u japim diçka të veçantë tifozëve dhe kur ke lojtarë të aftë për gjëra të jashtëzakonshme, gjëja më e rëndësishme për mua është detyrimi për të qenë perfekt. Do të doja të njihesha si dikush që e donte Arsenalin, i cili respektoi vlerat e klubit dhe e la atë në një pozicion ku mund të përmirësohet dhe të bëhet edhe më i madh”, nënvizoi Venger.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"