“Ndaj BATE-s gabuam në sulm dhe në mbrojtje”, Zekiç: Me Atletikun nuk do të jetë e lehtë, Kocijan luan në tri role ( E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 22:11

“Ndaj BATE-s gabuam në sulm dhe në mbrojtje”, Zekiç: Me Atletikun nuk do të jetë e lehtë, Kocijan luan në tri role ( E PLOTË)

BATE Borisov tashmë i përket së shkuarës dhe Partizani ka nisur misionin për të limituar dëmet në Europë me një kualifikim ndaj skuadrës së Atletik Eskaldes nga Andorra në Ligën e Konferencës. ,KLLK

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur trajneri i të kuqve, Zoran Zekiç. Ai flet për gabimet ndaj BATE Borisov, teksa refuzon ta quajë të lehtë Atletikun. Kroati flet edhe për Kocijan dhe vështirësitë për të firmosur me një qendërmbrojtës në këtë verë.

Pas këtij eliminimi nga Champions League, cilat janë qëllimet e Partizanit në Ligën e Konferencës? Deri ku mund të arrini?

Pas asaj paraqitjeje ndaj BATE Borisovit, nga dita e sotme mund të flasim për ndeshjen me Atletik Eskaldes dhe duhet të përgatitemi sa më mirë. Nuk është aspak një kundërshtar i lehtë. Ne do të na duhet një përqendrim maksimal, edhe pse në letër mund të konsiderohet një rival i lehtë.

Në dy ndeshjet ndaj BATE Borisovit pamë shumë raste të humbura. Si një ish-lojtar me tipare sulmuese, u keni dhënë ndonjë këshillë djemve për shënjestrën?

Është e vërtetë, ne humbëm shumë-shumë shanse dhe bëmë disa gabime në mbrojtje. Kjo ishte edhe arsyeja që humbëm. Por mund të them se po punojmë fort dhe po flasim çdo ditë, në çdo seancë stërvitore. Sot, gjithashtu, kemi shpenzuar kohë duke ua përsëritur lojtarëve. Duhet të jemi më të përqendruar, më të sigurt në veprimet e tyre. Të gjithë sulmuesit tanë duhet të kenë besim në vete, të gjejnë golat e parë dhe nëse do të bëjnë këtë, më pas do të jetë më e thjeshtë dhe do të shtojë vetëbesimin.

Çfarë prisni nga transferimi i fundit i Partizanit, Mateo Kocijan?

Historia e tij në futboll është shumë interesante, sepse pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin amator dhe ka luajtur në Kategorinë e Tretë. Më pas ai u transferua në divizionin e parë dhe punoi shumë fort për të treguar veten. Mateo mund të luajë në tri pozicione. Mund të luajë si qendërmbrojtës, si “libero” në qendër apo edhe si mesfushor qendre. Ai ka një karakter shumë pozitiv, është mjaft i shpejtë dhe shfaq një futboll cilësor. Mendoj se do të na shërbejë shumë.

Ishte përzgjedhja juaj transferimi i Kocijanit?

Po, është një zgjedhje imja, por duhet të them se në këtë moment nuk është se kishim shumë opsione. Shumica e lojtarëve kroatë kërkojnë një rrogë shumë të madhe.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"