“Na presin 5 finale”, Çela: Kundër Flamurtarit të gjithë motivohen, por duhet durim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2023 | 10:40

“Na presin 5 finale”, Çela: Kundër Flamurtarit të gjithë motivohen, por duhet durim

Emiljano Çela i cilëson si finale pesë ndesh jet e radhës në kampionat. E para është kundër Luzit, sot në orën 13:30 në stadiumin e Vlorës dhe për trajnerin e Flamurtarit, skuadra e tij është e destinuar të marrë tri pikët. Në prononcimin në prag të duelit me Luzin, Çela theksoi se kjo periudhë pauze i ka bërë mirë skuadrës. Ai beson në realizimin e objektivit madhor, rikthimit të Flamurtarit në Kategorinë Superiore.

cela

Çela, prisni Luzin që ju mori pikë në fazën e parë. Si është përgatitur ekipi për këtë ndeshje të radhës pas pauzës së kampionatit?

Përgatitjet kanë qenë të mira dhe maksimale. Grupi është përgjigjur mirë. Këtë periudhë u munduam që t’i jepnim ngarkesë ekipit, pasi na presin 5 ndeshje shumë të vështira. Gjithsesi, finalja jonë e parë është me Luzin dhe e vlerësojmë shumë kundërshtarin, pasi është një nga ato ekipe që kemi bërë hap fals në fazën e parë. Do të kërkojmë patjetër që të marrim pikët maksimale.

Ka diçka që e bën të vështirë këtë takim për Flamurtarin?

Janë disa ekipe që në Vlorë vijnë dhe japin maksimumin. Ne e dimë të gjithë emrin që ka Flamurtari dhe mënyrën se si skuadrat kundërshtare na imponohen. Janë skuadra të vështira, që gjithmonë mbrojnë në bllok të ulët, pra rrinë shumë poshtë. Patjetër që na duhet të kontrollojmë ritmin e lojës, të jemi të duruar dhe të implementojmë ato rrugëdalje që kemi bërë dhe pastaj të jemi të suksesshëm.

Ju ka bërë mirë pushimi i kampionatit?

Them se pushimi na ka bërë mirë. Vucaj që ka patur probleme, ka punuar normalisht me grupin dhe tani është shtuar edhe ai si pjesë efektive e skuadrës dhe do ta kemi të gatshëm.

Do të keni shumë mungesa, si është realisht gjendja e skuadrës?

Kemi 20 futbollistë dhe janë në një nivel të njëjtë me njëri-tjetrin. Në Shqipëri nuk ka luhatje të mëdha nivelesh, kështu që lojtarët që do të përfaqësojnë sot Flamurtarin në fushë, janë në nivelin e duhur që të bëjnë mirë dhe të fitojnë jo vetëm këtë ndeshje, por edhe në vazhdimësinë e kampionatit.

Sulmuesi Di Estefano nuk po stërvitet me grupin. Si është e vërteta?

Po stërvitet individualisht, pasi ka pasur disa shqetësime të vogla fizike.

Presioni i madh mbi emrin e Flamurtarit dhe Superliga, mendoni se u bënë mirë lojtarëve apo?

Patjetër që u bën mirë. Në disa raste presioni është i nevojshëm, sepse rrit përqendrimin dhe seriozitetin për të punuar sa më mirë. Patjetër që nuk është ndonjë presion shumë i madh përpos objektivave. Ne kemi marrë lojtarët e duhur, pasi besojmë se do ta realizojmë objektivin madhor që kemi për të dalë në Superiore. Gjatë rrugës do të kemi momente të ndryshme, qoftë presioni, por qoftë edhe momente të mira. Duhet të mundohemi që të menaxhojmë të gjitha këto situata.

Keni një mesazh për tifozët?

Të gjithë jemi këtu për klubin, tifozët dhe qytetin. Ne jemi përfaqësuesit e parë për ata. Patjetër që kemi shumë nevojë për mbështetjen e tifozëve, pasi ky sport luhet për pasion dhe për adrenalinë. Pa tifozët nuk mund t’i përjetojmë dot këta dy elementë të fuqishëm të kësaj loje. Ju bëj thirrje që në ta mbështesin. U premtojmë që do të japim maksimumin në çdo ndeshje për të fituar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"