“Na iku fitorja nga duart, shmangim rënien”, Ribaj pas barazimit me Lushnjën: Pushimi s’na ndihmon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2021 | 23:20

“Na iku fitorja nga duart, shmangim rënien”, Ribaj pas barazimit me Lushnjën: Pushimi s’na ndihmon

Andi Ribaj nuk dorëzohet, beson ende te mbijetesa. Edhe pse Flamurtari po shkon drejt ndeshjes shtesë, kapiteni është i bindur se skuadra do ta shmangë. Pikën e marrë në Lushnjë e quan atë të kthesës. Ndonëse nuk ndryshon asgjë në renditje, ka rritur ndjeshëm moralin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon 90 minutat e fundit dhe flet për formulën që i rezervon pushim këtë fundjavë.

RIBAJ

“Barazimi me Lushnjën, ishte një rezultat pozitiv për ne. Një pikë në atë ndeshje ka vlerë të madhe, pasi në fund të fundit e luanim në transfertë dhe përballë një kundërshtari që ishte aq pranë zonës ‘play off’. E shikoj diçka pozitive edhe për faktin që marrim besim. Ashtu si shkoi loja, edhe mund ta kishim fituar. I kishim të gjitha mundësitë për të marrë tri pikët në atë 90-minutësh. Luajtëm mirë dhe kishim rastet tona”, tha fillimisht 31-vjeçari.

RREZIKU – Kapiteni i shikon të vështira ndeshjet e fazës së tretë të kampionatit, ndaj kërkon prej të gjithëve angazhim dhe vlerësim maksimal. “Faza e ‘play out’-it do jetë shumë e vështirë. Për vetë specifikën dhe objektivat, do ta kemi ‘malore’. Por, ne i kemi marrë parasysh të gjitha dhe do t’i kapërcejmë me sukses pengesat. Do t’i trajtojmë si finale të gjitha takimet e mbetura. Jemi të fokusuar dhe po punojmë shumë. Shoh që djemtë e rinj kanë dëshirë të madhe për të punuar. Ata po rriten nga dita në ditë. Natyrisht që do të ndikojë jo fort mirë pushimi i gjatë që do të na duhet të bëjmë nga njëra sfidë në tjetrën, por nuk ka rëndësi kjo pjesë. Ne duhet të përqendrohemi vetëm te sfida e radhës. Po të punojmë dhe të mendojmë mirë, do të bëjmë më të mirën dhe i kemi mundësitë që ta shmangim ndeshjen shtesë”, përfundon Ribaj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"