Mungon Toska dhe Taubate, Troisi: Luajmë për maksimumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 11:40

Mungon Toska dhe Taubate, Troisi: Luajmë për maksimumin

Laçi është gati për startin, megjithatë problemet nuk kanë të sosur para Korabit. Stafi teknik duhet të bëjë llogaritë pa sulmuesin Taubate dhe Klajdi Toskën, njëri pasi ka pësuar tërheqje, ndërsa tjetri për çështje dokumentacioni. Megjithatë, vetë trajnerit Marselo Troisi beson te pikët.

troisi

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, braziliani, i cili e ndërtoi nga e para këtë skuadër, shprehet optimist para ndeshjes së parë me dibranët, të cilën do ta luajnë në “Selman Stërmasi”.

“Nesër (sot) luajmë ndeshjen e parë. E lehtë nuk do të jetë, pasi, sikundër të gjithë e dinë, Korabi ka në përbërje lojtarë, të cilët deri sezonin e fundit ishin pjesë e Laçit. Megjithatë, kjo nuk na tremb. Unë shikoj skuadrën time dhe di të them që jemi gati. Kemi edhe mungesa të rëndësishme, konkretisht Toskën dhe Taubate, por kjo nuk do ndikojë në lojën tonë.

Kemi lojtarë që do i zëvendësojnë denjësisht dhe do të dinë të japin maksimumin në fushën e blertë. Jam i bindur në forcën e skuadrës sime, pasi kemi në përbërje lojtarë të rinj, të fortë dhe që luajnë me vullnet dhe me dëshirë. Është një takim që luhet ndërmjet dy skuadrave të ndërtuara nga e para gjatë kësaj merkatoje, ndaj parashikime nuk mund të bëjmë për rezultatin.

laci formacioni

Unë besoj te skuadra ime, te forca jonë. Qëllimi është i qartë, do futemi në fushë për të dhënë dhe marrë më të mirën. Sa për presionin për objektivat, unë mund të them që është prezent. Por kjo do të ndikojë veçse pozitivisht, pasi do të na mbajë të karikuar për të pasur pretendime madhore, ashtu sikundër është mësuar ky klub.

Me kalimin e javëve, skuadra do të tregojë forcën e vet, ndaj kam bindjen se fundi do të jetë i suksesshëm”, përfundoi trajneri brazilian.

Sakaq, skuadrës i është bashkuar edhe Elvis Rrustemaj, i cili sezonin e fundit ka qenë pjesë e Besëlidhjes.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"