Mungesa në “apel”, Skënderbeu bën bilancin e merkatos/ Ja futbollistët që janë në bllokun e dëshirave të Memellit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 23:16

Mungesa në “apel”, Skënderbeu bën bilancin e merkatos/ Ja futbollistët që janë në bllokun e dëshirave të Memellit

Skënderbeu është drejt mbylljes së fazës përgatitore dhe klubi së bashku me stafin teknik, janë duke bërë bilancet e ekipit për sezonin e ri. Mes largimeve dhe afrimeve, duket se korçarëve u mungojnë në apel disa lojtarë që do t’i jepnin garanci Migen Memellit. Me garën që pritet të jetë e gjatë dhe e luftuar, korçarët duan që të marrin mirë masat për Kategorinë e Parë. Me brazilianin Paulo Junior që nuk do të jetë pjesë e korçarëve dhe me Konaten që vjen nga Verona me probleme fizike, mbetet e hapur një pistë për afrimin e një mbrojtësi qendre.

Skenderbeu2

Vetëm një i tillë do të ofronte siguri për repartin e prapavijës, që deri në këto momente mbetet “pronë” e Rapës dhe Prençit. Kjo duket se është kërkesa e parë e trajnerit, të cilën presidenti po mundohet ta plotësojë në ditët e mbetura të merkatos. Edhe në mesin e fushës për momentin bardhekuqtë janë në defiçencë. Vetëm tre lojtarë janë të gatshëm për të mbajtur peshën maksimale dhe me Randin e dëmtuar lëvizjet në formacion bëhen më të vështira.

Edhe këtu korçarët kanë nevojë për afrime të reja, dhe duket se kërkesa e radhës e bardhekuqve është plotësimi i këtij reparti. Me Frimpong në pritje, që nuk dihet se kur do të bashkohet me ekipin, bardhekuqtë kanë listuar në bllokun e dëshirave edhe dy lojtarë të tjerë. Burimet bëjnë me dije për gazetën, se një prej tyre është mbyllur, por vonesat në federim bëjnë që klubi ta mbajë në dosjen “top sekret”. Vetëm sulmi duket reparti që si Takaj dhe Memelli janë duke marrë pritshmëritë e duhura. Me Pusin, Likën dhe Abubakar, duket i kompletuar. Afrikani 19- vjeçar shihet si një “sozi” e Mensah, por shumë herë më produktiv si në lojë edhe në pritshmëritë për të ardhmen.

Ky repart me ardhjen e shkodranit Nikaj, që rikthehet pas disa javësh nga dëmtimi dhe me korçarin e ri Beçka që po jep gjithnjë e më shumë sinjale pozitive mbetet më i kompletuari në radhët e Skënderbeut, repart të cilin si Takaj edhe Memelli e quajnë një ndër më të plotësuarit e kampionatit.

Ndaj edhe për këtë, në kushtet ku ndodhemi, me merkaton që mbyllet pas dy javësh dhe me kampionatin që fillon më 3 shtator, korçarët janë sy e veshë nga zhvillimet e hapësirës së transferimeve, atje ku minimalisht priten tri zyrtarizime të reja në ditët e fundit, pa llogaritur ganezët Frimpong dhe Ousu që kanë një akord me klubin dhe pritet të mbërrijnë në ditët në vijim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"