“Mundni Elbasanin dhe futuni në… garë”, Shpëtim Gjika nuk i ndahet Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 21:04

“Mundni Elbasanin dhe futuni në… garë”, Shpëtim Gjika nuk i ndahet Flamurtarit

Shpëtim Gjika nuk i ndahet Flamurtarit. Heshtjes së stërgjatë, që e shoqëroi prej rënies në inferiore, i ka ardhur fundi.

GJika shpetim

Këtë sezon nuk i kursen mendimet për kuqezinjtë, të mira apo të këqija qofshin. Që ish-presidenti është i lidhur me ekipin kjo dihet dhe këtë po e përforcon më shumë këto kohë, kur nuk lë ndeshje pa parë. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, ai komenton fillimisht tri pikët me Besën, por ndalet çik më gjatë tek Elbasani.

REAGIMI – Sipas ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, ishte një ndeshje që duhej fituar dhe se kishte shumë arsye se përse duhet të merrej maksimumi. “Me Besën duhet të fitonin patjetër. Mendoj se ishin shumë arsye që duheshin tri pikët në këtë ndeshje. Ishte si një finale do të thosha unë. Besoj se nuk lejoheshin më hapat flasë dhe se duhej vazhdimësia. Qëllimi u arrit dhe skuadra bëri detyrën që i takonte.

Unë uroj për këtë fitore djemtë, trajnerin Emiljano Çela, por edhe stafin drejtues të klubit. E kam thënë dhe vazhdoj që ta përsëris, në këto momente na vlejnë shumë pikët. Nuk duhen më hapa falsë. Edhe pse nuk ishte një nisje e mirë dhe pozitive për pritshmëritë e mëdha që klubi ka dhe të gjithë ne si sportdashës kemi, duhet që skuadra të mos bëjë më hapa falsë. Gjithsesi, unë kam besim se kjo skuadër do të vazhdojë me ecurinë e rezultateve pozitive. E kanë vetë në dorë”, shprehet fillimisht Gjika.

PRETENDIMET – Ish-presidenti e cilëson tejet përcaktuese përballjen me Elbasanin, madje si një formë për t’u futur në garë. Edhe pse e quan të vështirë, mendon se justifikimet janë të ndaluara. “Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme. Mendoj se në mënyrë të veçantë, fitorja me Elbasanin vlen më shumë sesa tri pikë. Luhet në Vlorë dhe si e tillë duhet fituar.

Futbollistët duhet që të bindin edhe me lojë për të kënaqur tifozët. Por gjithsesi më shumë se kjo, na duhen pikët. Unë besoj se mund t’ia dalim në këtë 90-minutësh. Pavarësisht se është një duel i vështirë, për situatën dhe për objektivat nuk ka asnjë justifikim. Duhet fitorja e radhës. Janë pikë që vlejnë shumë për garën dhe do të tregojnë shumë për ecurinë dhe vazhdimësinë e kësaj skuadre”, thotë Shpëtim Gjika, që vazhdon të ketë merak stemën e vjetër. “Na riktheni stemën”, me këtë thirrje e mbyll deklaratën e tij ish-presidenti i vlonjatëve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"