“Mund ta mbyllnim edhe 4-0”, Çela flet pas fitores me Elbasanin: Jemi për kampionë, ishte javë e ngarkuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2023 | 10:00

“Mund ta mbyllnim edhe 4-0”, Çela flet pas fitores me Elbasanin: Jemi për kampionë, ishte javë e ngarkuar

Emiljano Çela e sheh ekipin e tij kampion. E ka të qartë se gara është e ashpër, por mendon se Flamurtari është në rrugën e duhur. Jo vetëm që ndjek filozofinë e tij të lojës, por prodhon edhe futboll e raste. Fitorja 2-0 për të është perfekte, por mendon se mund të shkonte edhe 3-0 apo 4-0. Gjatë deklaratave të dhëna pas ndeshjes për mediat, numri një i pankinës i bën një analizë asaj që ngjau në fushë.

cela

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Në fund të fundit përballeshin dy ekipe me pretendime dhe mbi të gjitha ne duam të fitojmë besimin e tifozëve. E dija që nuk do ta kishim të lehtë me një Elbasan që kualitetet i ka me bollëk. Por, ekipi luajti mirë. E dominuam tërësisht ndeshjen. Ka qenë një javë e ngarkuar dhe me tension dhe kjo bënte që hera-herës të kishim një lloj tërheqjeje. Nëse nuk do të ndodhte kjo, kishim raste që ta mbyllim dhe 3-0 ose dhe 4-0.

U ndëshkuam me një gol në fund, që nuk na dëmtoi. Golat tanë erdhën si logjikë e lojës, qoftë në gjerësi apo në linjat qendrore. Jam shumë i kënaqur nga ekipi, nga agresiviteti dhe nga rastet dhe loja që krijuam.

Çelësi i suksesit tonë? Puna e vazhdueshme. Mundohem që lojtarët t’i mbajë larg presionit të brendshëm dhe të jashtëm. Ekipi ka dominuar gjatë gjithë kohës, por nuk po gjenim dot rezultatin.

Kthimi i Oliveirës dhe Ramadanit është gjë pozitive. Kjo na ka dhënë qetësi dhe qarkullimin e topit. Jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam në dispozicion”, tha memalioti fillimisht. U ndal tek objektivat dhe pritshmëritë.

“Unë e shoh Flamurtarin kampion, derisa punojmë me seriozitet dhe ekipi më ndjek. Kemi filluar gradualisht filozofinë time të lojës. Gara është patjetër e ashpër, pasi janë në lojë klube si Bylis apo Elbasani. Jemi një nga ekipet me buxhetet më të larta në këtë kategori dhe pritshmëri ka. Por buxheti i lartë nuk përkthehet në rezultat. Duhet të jemi të përulur dhe mos e ndalësh kurrë punën”, përfundoi Çela.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"