Muça bën skanerin e kampionatit: Partizani rrezikon edhe Europën, ja pse nuk ka tifozë nëpër stadiume

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2018 | 22:28

Muça bën skanerin e kampionatit: Partizani rrezikon edhe Europën, ja pse nuk ka tifozë nëpër stadiume

Goleada, fitore ‘in ekstremis’ si dhe… triumfe nga ata që nuk mund të mos i quash surprizë, për vetë dominimin që Luftëtari tregoi në fushë përballë skuadrës korçare. Polemikat në Vlorë, supermacia e treguar e Kukësit ndaj Vllaznisë, rivaliteti mes Laçit dhe Kamzës, si dhe… dështimi i Partizanit (pa harruar polemikat për 11-metërshin në kohën shtesë) dhe formën e dobët të treguar nga Teuta janë disa nga temat që meritojnë një analizë.

muca

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Shkëlqim Muça analizon me detaje secilën përballje dhe formën e ekipeve të Superiores.

Profesor, çfarë të bëri përshtypje nga java e parë e kampionatit për këtë vit?

Natyrisht që ekipet janë përgatitur mirë. Më bëri përshtypje që pati impenjim në çdo ndeshje dhe nuk kishte asnjë skuadër, e cila të mos kishte objektiva të qarta. Vura re që secila ka bërë përgatitjen e duhur për objektivat që ka.

Skënderbeu u thye me dy gola diferencë, diçka që kishte shumë kohë pa ndodhur në një ndeshje të Superiores. Kjo është rastësi apo tregon që kampionati mund të rihapet?

Gjithmonë në fazën e dytë, edhe skuadrat që nuk kanë qenë të përgatitura mirë, futen në ritëm. Pjesa e dytë e sezonit është gjithmonë më e vështirë. Edhe për Skënderbeun, i cili fitonte me lehtësi ndaj secilës, në këtë pjesë të edicionit do ta ketë më të vështirë me cilindo ekip. Kjo edhe për faktin se të gjitha  janë riformatuara.

Flamurtari fitoi mes shumë polemikave për penalltinë në fund ndaj Partizanit. Është në gjendje të rivalizojë korçarët?

Flamurtari ka ngritje. Nga faza e parë është akoma më mirë dhe kjo fitore i jep më shumë besim. Ka edhe një ndeshje shumë të rëndësishme dhe shumë të vështirë në Kukës. Në rast fitoreje edhe atje, atëherë mund t’i afrohet ndjeshëm Skënderbeut dhe kreut.

Partizani ka bërë revolucion në merkato duke larguar plot 12 lojtarë. Çfarë pret të ndodhë, mund të rrezikojë edhe Europën?

Natyrisht që dihet se me këtë paraqitje që ka dhe me këto pikë, nuk pretendojnë për pozicione shumë të larta në renditje. Do të synojnë vetëm që t’u afrohen ekipeve në zonën e Europës. E kanë gjithashtu të vështirë, jo se është diferencë shumë e madhe, por vetë gjendja e ekipit, humbjet, ambienti që është krijuar dhe atmosfera e krijuar, nuk japin shumë premisa për të thënë që Partizani do të arrijë shumë lart. Mund ta shpëtojë sezonin vetëm nëse do të kapë një vend në Europë. Kohë ka, pasi ka ende shumë ndeshje në lojë, por atmosfera e krijuar në ekip është shumë në disfavor.

Shkelqim Muca

Profesor, pret një vazhdimësi të sezonit si ka qenë pjesa e parë e kampionatit apo mendon se në tabelë do ketë ndryshime?

Nuk besoj. Skënderbeu, pavarësisht se humbi, është një skuadër që reagon. I ka futbollistët dhe ka pjekurinë e duhur për ta ndryshuar atmosferën e humbjes së parë. Për një kohë të gjatë mund ta mbajë këtë renditje.

Vllaznia dhe Teuta janë dy ekipet që vazhdojnë të zhgënjejnë. Duke iu referuar faktit që vjet ra një klub si Tirana, sa shanse ka që një tjetër emër i madh i futbollit mund të ketë të njëjtin fat?

Tani nuk ka klube të mëdha, emrat kanë mbetur. Çdo ekip mund të jetë i rrezikuar, siç e thatë edhe ju. Edhe Lushnja do ta bëjë maksimumin deri në fund, por të rrezikuara i shoh të dyja.

Kukësi ka ndryshuar trajner dhe, pas sinjalit në miqësoret e zhvilluara në Turqi, mposhti edhe Vllazninë duke e nisur mbarë. Si e shikon në garën për kreun?

Kukësi është një skuadër që ka reaguar pas atyre rezultateve negative. Ka marrë trajner të ri dhe ka ndryshuar diçka. Megjithatë, mbetet për t’u parë. Diferenca është e konsiderueshme. Nuk bëhet fjalë për të ruajtur titullin këtë vit, por besoj se do të jetë ekipi që do të luajë në Europë. Paraqitjet i ka të mira, por mendoj se deri këtu mund të arrijë.

Kamza e nisi me fitore ndaj Laçit. Çfarë pret të ndodhë me këto dy skuadra?

Janë dy skuadra që besoj se, me çfarë kam parë, do të rrinë në këto nivele deri në fund. As nuk do të jenë ekipe që do të marrin Europën, por as ekipe që të rrezikojnë të dalin nga kategoria. Janë aty te mesi i artë.

Në mes është Kupa, cilat skuadra shikoni si favorite këtë sezon?

Ekipet kryesore, ato që janë emrat kryesore, dihet. Kukësi, Skënderbeu.

Tiranën nuk e sheh që mund të rivalizojë deri në fund?

Edhe Tirana është në ato kushte për të tentuar, pasi Kupa ka të tjera kushte. Të gjitha kanë mundësi të barabarta për të shkuar më lart dhe për ta fituar.

Sërish stadiumet nuk kanë qenë të mbushura, madje në disa ndeshje nuk ka pasur as 300 tifozë. Pse ky fenomen?

Eh, kjo është një sëmundje e kampionatit shqiptar. Duhet ta promovojmë sa më mirë kampionatin. Duhet të jetë sa më i besueshëm te njerëzit dhe natyrisht ata do të afrohen më shumë. E përsëris që ka shumë arsye që i bëjnë të rrinë larg. Edhe impiantet sportive duhet të përmirësohen, pasi, për shembull, në këtë kohë të ftohtë, njerëzit duan që dy apo trr orë t’i kalojnë në ambiente më komode. Natyrisht që janë shumë gjëra që pengojnë këtë lloj pjesëmarrjeje.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"