Moxhi letër Gravinës: Çfarë doni, të më pushkatoni?! Zoti Çine dhe Rekoba…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 20:02

Moxhi letër Gravinës: Çfarë doni, të më pushkatoni?! Zoti Çine dhe Rekoba…

Luçiano Moxhi u rikthye në vëmendje të faqeve të para të gazetave, pasi me rastin e ndeshjes së të rinjve, mes Napolit dhe Juventusit, ai u pa anës fushës duke biseduar me drejtorin e stafeve bardhezi, Xhanluka Pesoto.

moxhi

Dhe menjëherë mbi të u nënvizua se prokurori Xhuzepe Çine, ai që dërgoi Juven te penalizimi me 15 pikë dhe ndërkohë po heton edhe për çështjen e pagave, u shpreh se do të hapë një hetim edhe për ish-drejtorin e përgjithshëm bardhezi, pasi një person i përjashtuar përjetë nga futbolli, nuk mund të shkelë në ambientet sportive, me përjashtim të tribunave. Dhe duke marrë shkas nga lajmi që bëri bujë menjëherë, Moxhi kundërpërgjigjet me një letër të hapur drejtuar presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabrielë Gravinës, ku nuk ngurron të thumbojë dhe të nxjerrë një fakt pikant mbi prokuorin Çine.

I NDERUAR ZOTI PRESIDENT

Dua të vë menjëherë theksin tek arsyeja e marrjes në pyetje e zotit Pesoto, pasi në shtyp qarkulloi videoja dhe fotoja ime teksa flisja me të, me rastin e sfidës së të rinjve, Napoli-Juventus, në Çerçola, një periferi e Napolit. Duke qenë se jam i vetëdijshëm për rregullat që ndalojnë personat e përjashtuar si unë që të shkelin qoftë edhe periferitë e fushës, për çdo aktivitet të organizuar nga federata, u kujdesa mirë që të mos i shkelja ato. Prandaj, duke mos ditur rrugën për t’iu drejtuar tribunës ku duhej të qëndroja, u kujdesa që t’u kërkoja dy punonjësve të fushës, Luigi Palumbo dhe Xhakomo Novello, që të më shoqëronin në tribunë. ‘Udhëtimi’ me dy guidat nisi në kthesën e pistës së atletikës dhe vazhdoi deri në pjesën hyrëse të tribunës, ku takova zotin Pesoto, të cilin e përshëndeta ngrohtësisht duke qenë një nga lojtarët e mi. Por zoti Çine përpara se të dërgonte një person nga Napoli ku unë jetoj në Torino dhe të shpenzonte paratë e taksapaguesve për të marrë në pyetje zotin Pesoto, mbi arsyen pse foli me mua, një person i përjashtuar përjetë nga futbolli, unë i them se dënimi ndaj meje më ndalon që të mos shkel terrenet e lojërave që organizon federata, por kurrsesi të më ndalojë që të përshëndes dhe flas me personat që njoh, ndonëse ata janë drejtues të ndonjë klubi.

Madje, nëse doni ta dini zoti president, unë jam shumë i lumtur që nuk bëj më pjesë e rangjeve drejtuese të futbollit, duke parë gjendjen aktuale në të cilën noton futbolli ynë. Fundja, sot janë përjashtuar njerëzit që punuan dhe kontribuan për fitoren e titullit botëror të Italisë në vitin 2006 dhe ndërkohë lejohen të tjerë si Oriali, gjithashtu i përjashtuar dhe i dënuar nga drejtësia sportive dhe ajo e zakonshme që të jetë menaxher i kombëtares. Dhe mbi të gjitha dua të kujtoj se zoti Oriali ishte pjesë e skandalit për falsifikimin e lejes së drejtimit (patentës) së Rekobës, nga e cila më pas erdhi edhe marrja e pasaportës së lojtarit, dokumente të parregullta këto që u gjetën në Latina, qytet në të cilin prokuror i kohës ishte vetë zoti Çine, i cili mbylli një sy për çështjen. Prandaj zoti president ju them që bëhuni kurajoz dhe jepjani faturën e shpenzimeve të udhëtimit të personit që mori në pyetje Pesoton, Çines, sepse as ai dhe askush tjetër nuk mund të më ndalojë që të përshëndes një person që ka qenë pjesë e karrierës sime sportive. Fundja, pas skualifikimit përjetë nga futbolli, çfarë mund të më bëjnë tjetër, të më pushkatojnë?! Absolutisht jo, sepse përpara se të merrnin në pyetje Pesoton, zoti Çine duhet të merrte në pyetje napolitanët, si organizatorë të ndeshjes. Por jo, ai shpejtoi për të marrë në pyetje Pesoton, duke gabuar për të zgjidhur lehtësisht këtë çështje, pa një shpenzim të kotë të taksapaguesve, për të zgjidhur këtë çështje madhështore”, përfundoi letra e hapur e Luçiano Moxhit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"