MOVIOLA| Partizani-Tirana/ Jorgji me stil anglez, një gol duhej anuluar (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 21:07

MOVIOLA| Partizani-Tirana/ Jorgji me stil anglez, një gol duhej anuluar (VIDEO)

Nëse Kobinah nuk do të shënonte në fund, me siguri sot do të kishim shumë polemika për golin e Partizanit. Megjithatë, ashtu siç lojtarët gabojnë në fushë, edhe arbitrat nuk mund t’u shmangen momenteve kur në fraksion sekonde duhet që të marrin vendime të drejta. 

Gjyqtaret

FSHF i kishte besuar kryendeshjen e javës së 15-të kryesorit me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji. Edhe anësorë ishin ndërkombëtarët Denis Rexha dhe Rejdi Avdo, ndërsa pas portave si arbitra të linjës Kridens Meta dhe Ardian Beqiri. I katërt ishte Dojando Myftari.

Jorgji zgjodhi të bënte një gjykim me stil anglez, duke i rënë sa më pak bilbilit dhe duke lejuar avantazhin sa herë bëhej fjalë për faulle të diskutueshme. Kjo e bëri edhe më të bukur ndeshjen, ndërkohë që rastet për moviolë nuk munguan, veçanërisht te goli i Partizanit.

10’ Romero godet, por Lika grushton. Topi mbetet në zonë dhe është Solomon që gjuan, por sërish portieri grushton dhe në tentativën e tretë, Bardhi e dërgon në rrjetë, duke barazuar 1-1. Pamjet filmike tregojnë se në momentin që topi është goditur nga Romero dhe më pas ka ardhur te Solomon pas grushtimit të portierit, sulmuesi është në pozicion të parregullt dhe loja duhet të ndalej.

GJK_8625

Lojtari i fundit i Tiranës është Doka dhe dalja e tij e shpejtë nga zona në momentin kur goditi Romero, ka “mashtruar” anësorin Rejdi Avdo, i cili në këtë moment ka vazhduar lojën. Gjithsesi, në fund ky gol nuk ndikoi në rezultat, pasi Tirana fitoi.

59’ Trashi dhe Ngo përplasen me njëri-tjetrin dhe në një moment nisin të kacafyten. Jorgji e kalon këtë situatë me dy kartonë të verdhë për lojtarët, por mënyra si u kapën, ndoshta meritonin të dy të kuqin.

64’ Halili pengohet nga Bitri gjatë një kundërsulmi të Tiranës. Mbrojtësit i falet kartoni i dytë i verdhë, pasi mund të dilte me të kuq.

70’ Kobinah godet me bërryl Trashin, por Jorgji eviton të kuqin, duke ndëshkuar vetëm me të verdhë ganezin. Rast shumë i diskutueshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"