Moviola e javës së 11-të, arbitrat penalizojnë Kukësin dhe Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 21:22

Moviola e javës së 11-të, arbitrat penalizojnë Kukësin dhe Skënderbeun

Java e 11-të rikthehu në skenë gabimet e gjyqtarëve, të shoqëruara edhe nga mungesa e ndërhyrjes së sistemit VAR.

EGNATIA

Ndeshjet e luajtura në Rrogozhinë dhe Elbasan, ku arbitra kryesorë ishin Andi Koçi dhe Olsion Yzeiraj, penalizuan klube si Kukësi dhe Skënderbeu. Për të dyja këto ekipe mungon nga një penallti. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në pesë ndeshjet e luajtura.

TIRANA-TEUTA 2-0

Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), M.Llukmani (Vlorë), E.Malo (Lushnjë); VAR: E.Jorgji – AVAR: E.Ganxhi (Elbasan);

Në “Selman Stërmasi” gjykoi Laver Alla, ndërsa në VAR ishte Enea Jorgji. Në përgjithësi arbitrat e menaxhuan mirë ndeshjen.

21’ Daci shënon për Teutën, por Alla jep faull për Tiranën pas duelit të sulmuesit me mbrojtësin Hoxhallari. Vendim i drejtë i kryesorit Alla, pasi faulli është i dukshëm përpara se Daci të godasë portën.

27’ Haxhiu pengohet në zonë nga Albi Alla dhe kërkon penallti, por anësori Llukmani ngre flamurin për pozicionin jashtë loje. Rasti kontrollohet me VAR dhe konfirmohet që sulmuesi i Tiranës është më përpara në nisje të aksionit.

81’ Akordohet penallti për Tiranën. Pas një aksioni me protagonist Metën, Qaqi në rrëzim e sipër prek topin me dorë në fundore. Alla nuk heziton për 11-metërsh. Vendim i drejtë i kryesorit.

DINAMO-SKËNDERBEU 2-1

Gjyqtarë: O.Yzeiraj (Patos), I.Tartaraj, O.Grabova (Fier); VAR: K.Cjapi (Fier) – AVAR: R.Muzhaqi (Elbasan);

FSHF-ja kishte caktuar si arbitër kryesor Olsion Yzeirajn nga Patosi, ndërsa në sistemin VAR ishin Kreshnik Cjapi dhe Rexhep Muzhaqi.

21’ Mbrojtësi i Dinamos, Zhozelin Behiratçe, shtyn me duar gjatë një dueli në zonë Rashicën, pikërisht në momentin që ky i fundit kërkon ta driblojë. Sulmuesi i Skënderbeut, edhe pse në rënie e sipër, godet me të djathtën drejt portës.

Arbitri nuk akordon penallti për Skënderbeun, duke vijuar lojën. Mirëpo duhej të ndërhynte VAR-i, pasi pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me penallti të mohuar për korçarët. Behiratçe i prish ekuilibrin Rashicës me duart e vendosura në pjesën e gjoksit. Gabim i arbitrit kryesorit dhe VAR-it.

88’ Është sërish Behiratçe që rrëzon në zonë Rashicën, i cili ishte me topin në këmbë dhe me kurriz nga porta. Arbitri e konsideroi duel normal dhe vijoi lojën. Mbrojtësi blu u fut në mënyrë të shkujdesur, por nuk kemi të bëjmë me një duel në ekstremet e një penalltie.

EGNATIA-KUKËSI 2-1

Gjyqtarë: A.Koçi, H.Lisaku (Durrës), J.Podgorica (Shkodër); VAR: O.Ferataj (Patos) – AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan);

Në Rrogozhinë arbitër kryesor ishte Andi Koçi, ndërsa në VAR qëndronin Olsid Ferataj dhe Jetmir Podgorica, me këtë të fundit që ishte bërë protagonist në një gol të dyshimtë për pozicion të parregullt në ndeshjen e Kategorisë së Parë, Burreli-Flamurtari 1- 0.

Dy ishin rastet për moviolë, me një penallti të akorduar për rrogozhinasit dhe një tjetër që mungon në favor të Kukësit, ku gaboi arbitri Koçi.

34’ Fangaj futet në zonë në krahun e djathtë dhe aty Rivas i ndërhyn me sparkatë, duke penguar mbrojtësin e Egnatias. Arbitri Koçi akordon penallti për rrogozhinasit dhe ndëshkon me të verdhë sulmuesin e Kukësit. Vendim i drejtë i kryesorit. 48’ Lala kërkon të spastrojë zonën, por topi prek trupin e Dukës dhe rrogozhinasit pretendojnë se e ka devijuar me dorë. Arbitri vijon lojën, duke marrë një vendim të drejtë.

60’ Salami jep një asist për Rashitin, që kontrollon topin dhe pasi futet në zonë është Fangaj që u ndërhyn në sparkatë dhe e rrëzon. Mbrojtësi i Egnatias ka devijuar fillimisht topin dhe më pas ka penguar sulmuesin e Kukësit.

Arbitri Koçi vijon lojën, ndërsa nuk ndërhyn as VAR-i për të sinjalizuar kryesorin të kontrollonte rastin në monitor. Pamjet filmike tregojnë se pavarësisht faktit që Fangaj ka larguar topin, dinamika e ndërhyrjes është e atillë që ka shkaktuar penallti. Arbitri kryesor ka gabuar në këtë rast, duke mos marrë një vendim të tillë, por me përgjegjësi është edhe sistemi VAR.

VLLAZNIA-ERZENI 1-1

Gjyqtarë: D.Maletaj, M.Shazivari (Tiranë), A.Mahmuti (Elbasan); VAR: F.Lata (Durrës) – AVAR: O.Kuka (Tiranë); Vllaznia-Erzeni u gjykua nga Dorian Maletaj, ndërsa në VAR ishin Florian Lata dhe Orlando Kuka.

27’ Maliqi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Malës në një top të diskutueshëm në hyrje të zonës. Arbitri Maletaj akordon direkt penallti për Vllazninë. Vendim i drejtë i kryesorit, pasi Maliqi është një kohë me vonesë dhe prek këmbën e Malës, duke shkaktuar faull.

56’ Sadiki shkakton një faull taktik ndaj Malës në qendër të mesfushës. Arbitri Maletaj nuk i jep të verdhë mbrojtësit të Erzenit, i cili më parë e kishte marrë një të tillë dhe do të dilte nga fusha me të kuq nëse ndëshkohej sërish. Një rast ku arbitri toleroi.

LAÇI-PARTIZANI 0-1

Gjyqtarë: J.Xhaja, R.Avdo, A.Zalla (Tiranë); VAR: E.Hamiti – AVAR: R.Çokaj (Lezhë); Në Laç gjykoi Juxhin Xhaja, ndërsa në VAR ishte Eldorjan Hamiti.

22’ Rrapaj futet drejt zonës dhe pasi jep një vertikalizim për Mensah, rrëzohet nga ndërhyrja e Dajkos. Xhaja nuk e ndalon lojën dhe lë avantazhin, teksa më pas Mensah del përballë Dajsinanit, por kapet në pozicion jashtë loje. Kishte dyshime për pozicionin e faullit ndaj Rrapajt, por pamjet tregojnë se nuk kemi të bëjmë me penallti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"