Motra e Rei Manajt: Ju tregoj anën tjetër të sulmuesit të Interit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2015 | 9:20

Motra e Rei Manajt: Ju tregoj anën tjetër të sulmuesit të Interit

rei Alvi është motra e madhe dhe e vetmja e talentit të Interit, Rei Manaj. Një shoqe e mirë dhe motër kritikuese sa herë që duhet ndaj tij. Sulmuesi 18-vjeçar ka një marrëdhënie të ngushtë dhe të veçantë me motrën e tij. 22-vjeçarja në një bisedë për “Panorama Sport” rrëfen marrëdhënien me Rein, transferimin e tij te klubi italian, shijen e suksesit dhe dëshirën e madhe që ka i vëllai për të kontribuar te Kombëtarja kuqezi. Përveçse motra e Manajt të Interit, Alvi është dhe një tifoze e flaktë e ekipit të Mançinit dhe e Tiranës…

Ndonëse janë rritur në Itali, bukuroshja shpreh dashurinë e madhe për atdheun e saj me një shqipe të rrjedhshme.

Alvi, si ndiheni për suksesin e Reit?

Jam shumë e lumtur për arritjet e tij. Pavarësisht se jam e ndërgjegjshme për të gjithë punën, lodhjen, sakrificën dhe kohën që i është dashur të arrijë aty ku është. E meriton vërtet këtë arritje, pasi ka qenë vullneti i tij dhe mbështetja e familjes që e ka ndihmuar në realizimin e këtij objektivi. Nuk di si ta përshkruaj këtë lloj ndjesie, por është me të vërtetë shumë e bukur.

Po familja dhe ai vetë si e përjetojnë?

Nuk e di… Mendoj që ai është vërtet shumë i lumtur, edhe pse nuk e shpreh. Nuk është bërë aspak mendjemadh, madje tani ka akoma më shumë dëshirë dhe vullnet për të punuar më fort për të realizuar qëllimet e tij. Është i kënaqur, por sigurisht po punon më shumë për të siguruar më shumë minuta në fushën e lojës, për të treguar sesa vlen, pasi ai akoma nuk ka treguar asgjë. Tani shpresojmë që t’i jepet mundësia që të tregojë se sa vërtet vlen…

Çfarë ka ndryshuar te ju pas kësaj…

Në jetën time nuk ka ndryshuar asgjë, pasi unë vazhdoj të ruaj atë thjeshtësinë, pavarësisht suksesit, famës së vëllait apo rritjes së mirëqenies ekonomike. Po i njëjti person mbetem… Paratë dhe fama nuk mund ta ndryshojnë për asnjë çast karakterin tim.

Si ndiheni kur në fakultet ju thërrasin “motra e Reit”?

Habitem dhe seriozisht bëhem me turp kur njerëzit më trajtojnë më ndryshe, më afrojnë më shumë, duan edhe të miqësohen me mua… Më duket e çuditshme, nuk jam mësuar akoma me këtë, por ama unë mbetem po i njëjti person dhe e vlerësoj edhe respektin e të tjerëve. Shpeshherë më pyesin se “përse nuk shfaq aq gëzim duke qenë se vëllai yt luan me një ekip të madh siç është Interi?”. Unë jam e lumtur për vëllanë tim, për arritjet e tij, por tek unë nuk ndryshon asgjë, nuk ka përse.

Sa e afërt jeni me të?

Prindërit tanë kanë vetëm dy fëmijë, mua dhe Rein, ndaj si motër dhe vëlla jemi shumë të lidhur me njëri–tjetrin, pavarësisht se kemi 4 vite diferencë. Madje, unë i kam vendosur edhe emrin. Kemi një marrëdhënie të veçantë dhe tejet të mrekullueshme, flasim përditë në telefon… ndaj ai më rrëfen për ditën e tij, stërvitjet, miqtë, shokët e ekipit.

Si e kanë pritur tek Interi?

Është shumë i kënaqur, jashtëzakonisht i kënaqur. Shokët e ekipit e mësojnë, këshillojnë dhe e trajtojnë si një profesionist, pavarësisht diferencës së moshës apo eksperiencës karshi tyre. Janë shumë të afërt me të, e ftojnë për darka, disa i kanë prezantuar dhe familjen. Pra, është në një rreth të mirë miqësor.

Me cilin ka më shumë afrimitet?

Të gjithë, Ikardi, Jovetiç, por në veçanti me Medelin. Të gjithë e ndihmojnë shumë dhe kjo ia ka lehtësuar ambientimin, pasi më parë e ka pasur vështirë në skuadrat e tjera për shkak të zilisë apo konkurrencës që kanë futbollistët. Mirëpo, e rëndësishme është që ndodhet në një ambient vërtet pozitiv.

Ju jeni tifoze e Interit, apo prej vëllait?

Jo, jo, ne si familje të gjithë kemi bërë tifozllëk më parë me Interin para se Rei të luante aty. Dua të theksoj që Rei, pavarësisht se është tifoz i Interit, nuk e ka zgjedhur atë për këtë arsye, por sepse kjo skuadër i ka ofruar diçka më tepër se të tjerat që e kanë kërkuar.

Mund të na i përshkruani emocionet në stadium kur luan ai?

Oh! Shumë emocione, por ndjesi e papërshkrueshme. Mbaj disa pako facoletash për të fshirë lotët, sepse emocionohem shumë, vërtet. Që nga minuta e parë që fillon ndeshja, deri në fund, “ha thonjtë” (qesh)… E përjetoj shumë, pasi dua të dalë mirë, të jetë i kënaqur nga performanca e tij trajneri, tifozët dhe vetë ai. Është ndjesi shumë e bukur vërtet dhe në fund dua ta shoh të buzëqeshur, sepse e meriton.

Të kalojmë pak te ju. Përveç vëllait, kë lojtar simpatizoni?

Për paraqitje, Osvaldon (qesh), ndërsa si lojtar, Ibrahimoviçin. Zlatani më pëlqen shumë si lojtar, pasi tek ai shoh diçka të Reit. Më saktë, mënyra sesi luan Rei, më kujton atë. Ndoshta jam fiksuar unë sepse e simpatizoj Ibrën dhe nuk është ashtu, por ashtu siç e njoh unë Rein, ngjason shumë në karakter, në mënyrën e qëndrimit, pavarësisht se im vëlla nuk është aq zevzek sa ai. Megjithëse ma kujton shumë…

Po në kampionatin shqiptar, për cilin ekip bëni tifozllëk?

Hëm, nuk jam tifoze e mirëfilltë në kampionatin tonë, pasi tashmë jam krejtësisht e fokusuar tek ai italian. Mirëpo, këtu simpatizoj ekipin e Tiranës. E kam ndjekur vetëm një herë në stadium me shoqërinë, në ndeshjen kundër Skënderbeut. Dhe më ka pëlqyer shumë një lojtar i Skënderbeut, Bernard Berisha, i cili me të vërtetë e meriton Kombëtaren, shumë i talentuar.

Do ta ndiqni Kombëtaren në Francë edhe nëse nuk është Rei?

Sigurisht që po. E kam ndjekur me shoqërinë dhe me familjen gjithmonë, pavarësisht se Rei luante me moshat. Kombëtarja është e të gjithëve, pavarësisht së gjithave, dhuron emocione të veçanta dhe tejet të bukura, sidomos tani që u kualifikuam në “Francë 2016”.

Si e komentoni dëshirën e Reit për të luajtur me Kombëtaren në marrëdhënie me De Biazin?

Mendoj që e gjithë situata që u krijua ishte keqkuptim. Të dyja palët u keqkuptuan për një koment të trajnerit në një emision, e më pas keqinterpretimi që shokët ia përcollën atij, i cili u tregua impulsiv dhe reagoi në atë mënyrë që nuk duhej, pasi ishte në dëm të tij. Por, e gjitha tashmë ka mbetur pas dhe Rei ka një marrëdhënie shumë të mirë me De Biazin. E kemi vlerësuar shumë mirëkuptimin e tij, një trajner dhe njeri më shumë se profesionist. Im vëlla është shumë i lumtur për mbështetjen e tij, e ka kuptuar gabimin dhe shpresoj që të mos përsëriten më në të ardhmen, sepse ai mbetet i dëmtuar. Nuk dua të flas si motra e tij për këtë, mirëpo, në rast se i jepet mundësia, le ta tregojë veten në fushë, të shohin sa vlen. Në këtë mënyrë do të fitojë edhe më shumë respektin e De Biazit dhe të tifozëve. Mundësitë, pa meritë, mua nuk më pëlqejnë…

Ju studioni për fizioterapi, në një të ardhme e shihni veten duke punuar në një klub futbolli? Ndoshta edhe tek Interi…

Pse jo?! Kudo që ta ushtroj profesionin tim, është kënaqësi. Edhe tek Interi, apo cilido ekip që të jetë, mjafton që unë të bëj punën time.

Intervistoi: Eva Marku

manaj 1

manaj 3

manaj 2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"