“Ndaj Korabit u mërzita shumë. Për çfarë duhet sulmuesi, ku humbet qetësinë”. Besa “tërboi” Bubeqin në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 11:54

“Ndaj Korabit u mërzita shumë. Për çfarë duhet sulmuesi, ku humbet qetësinë”. Besa “tërboi” Bubeqin në tribunë

“Jo se do të bëja ndonjë gjë të madhe, por ishte torturë e vërtetë të ndiqje ekipin nga tribuna”. Kështu e nisi prononcimin e tij për “Panorama Sport” trajneri i Besës, Dorjan Bubeqi, pas atij barazimi 0-0 kundër Korabit, që zhyti më keq verdhezinjtë në vorbullën e mbijetesës.

bubeqi ne tribune

Bubeqi e ndoqi ndeshjen nga tribuna e stadiumit “Roza Haxhiu, pasi është dënuar me 4 ndeshje Disiplina, prandaj nuk mundet të ulej në stol. Përpos tij, Besa pati edhe dy mungesa me peshë në mbrojtje, Ramilli dhe Perja. Përtej të gjithave, kavajasit humbën edhe një 11-metërsh me Spahiun, pa folur për rastet e pastra të sulmuesit Mustafa Ba. Për Bubeqin, ky barazim e vë në pozitë edhe më të  vështirë ekipin. “Sinqerisht, kurrë nuk jam ndjerë më keq sesa kjo ndeshje. Jo se nuk kam humbur, madje edhe thellë në ndonjë klub, por pesha dhe rëndësia e këtij takimi vlente thuajse shpëtimin nga më e keqja, rreziku i rënies direkt në Kategorinë e Dytë, që do të ndodhte për herë të parë në historinë e Besës.

Duke u kthyer te ndeshja me Korabin, vërtet më vjen keq, por edhe irritohem.  Kjo vjen për faktin se në sfida të tilla që përcaktojnë fatin e ekipit, lojtarët arrijnë të humbasin raste flagrante. Nuk e kuptoj se përse duhet sulmuesi në fushë, kur nuk është i aftë të ruaj qetësinë dhe për pasojë shpërdoron edhe djersën e 10 shokëve. Korabi vetëm në fillim na rrezikoi njëherë dhe ekipi im luajti thuajse në 30 metrat e fundit përballë portës mike. Besa qarkulloi topin dendur, por atëherë kur duhet të godiste nuk e bënte këtë. Nga tribuna nuk shkonte të ngrija zërin, por brenda vetes isha i acaruar me rastet e humbura.

Ky barazim na vë në pozita mjaft delikate në dy takimet e mbetura, ku më së paku na duhen 4 pikë për të mos rënë direkt në Kategorinë e Dytë. Dy kundërshtarët janë të vështirë, si Apolonia edhe Flamurtari. Rasti i Korabit na e mësoi këtë, prandaj s’kam rrugë tjetër veçse të punoj sa i takon anës psikologjike, që ekipi e veçanërisht sulmuesit që kemi të luajnë lirshëm pa presionin e rezultatit. Them kështu, pasi druhem se faktori psikologjik ka ndikuar e ndikon fort te ata mbi përgjegjësinë për të shënuar. Nëse nuk je i qetë, logjike që porta të duket 1 metër. Kam qenë sulmues dhe e njoh më mirë se kushdo këtë situatë. Thjesht më mbetet të punoj dhe besoj deri në fund”, u shpreh trajneri Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"