Mbijeton Besa, dështon sezoni i Luftëtarit. Bubeqi: Objektivi u arrit, pak besuan kur e mora ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 16:12

Mbijeton Besa, dështon sezoni i Luftëtarit. Bubeqi: Objektivi u arrit, pak besuan kur e mora ekipin

Besa nuk zhgënjen. Të besuarit e Dorian Bubeqit arritën të mbajnë futbollin e Kavajës në Kategorinë e Parë, ndërsa AF Luftëtari do të vijojë në të Dytën edhe në sezonin 2024-2025. Besa gjen golin e avantazhit shumë shpejt.

besaaa

Është minuta e 7-të kur mesfushori Emini pas një aksion nga e djathta, shpërtheu drejt zonës dhe nga 13 metra me një të majtë të shkëlqyer, topi përplaset në traun e sipërm të portës dhe përfundon në rrjetë. Pas golit, Luftëtari kërkon të barazojë, duke reaguar me pasime të shpejta. Ahmetaj grushton një gjuajtje të Mërkurit, ndërsa një tentativë e Tunit devijohet nga mbrojtja. Luftëtari ka një tjetër mundësi me anë të Gomes Dos Santos, por topi përplaset në traun e portës. Gjirokastritët marrin veten dhe bëjnë gjithçka për të barazuar ndeshjen. Stiven Puci provon nga e majta, por topi përfundon në duart e Ahmetajt. Tuni dëmtohet dhe kërkon ndërrim dhe në vend të tij hyn Gaba.

Besa administron më mirë lojën dhe në të 27-ën shënohet goli i dytë. Një gabim i Dos Santos, që fillimisht e prek topin me dorë dhe humb edhe dyluftimin me Dabo, që gjuan me të djathtën pranë portës dhe 2-0 për Besën. Luftëtari përpiqet të bëjë diçka me Miranin, i cili provon nga 35 metra, por grushton portieri Ahmetaj. Në minutën e 40-të, Spahiu gati sa nuk shënon të tretin me topin që kalon mbi traun e sipërm. Në fund të pjesës së parë, dy minutat shtesë do të shënonin vetëm një shpërdorim të Kamohelos.

PJESA E DYTË – Fillimi i këtij fraksioni foli për Luftëtarin.  Në minutën e 49-të, Ziaj ngushton shifrat duke elektrizuar tifozët gjirokastritë. Por gëzimi do të zgjaste shumë pak, pasi 6 minuta më vonë Spahiu shënon  një gol të mrekullueshëm teksa bënë gjithçka vetë. Depërton në zonë deri afro dy metra nga shtylla pingule, topi ulet dhe përfundon në rrjetë dhe 3-1. Në vijim, Emini nuk tregohet i saktë me një mundësi, por as Mërkuri nga kampi gjirokastrit me një goditje dënimi. Në vijim përpiqet të bëjë diçka Perja që merr vrull, por topi largohet me kokë.

Perja kroson nga këndi, por shtatlarti Nurja humbet një rast të mirë shënimi. Nurja e Spahiu mund të thellonin diferencën në vijim, por gabojnë. Në vijim Dabo ka dy mundësi të mira, por portieri mik zgjidh çdo gjë me shpejtësi. Mirani harkon një top në qendër zonës, por Ahmataj grushton. Dabo kombinon me Balin, por mbyll gjithçka Boje. Luftëtari ka dy mundësi shënimi. Në minutën 85-të, kapiteni Çulli godet shtyllën. Një minutë më vonë, Mirani provon me një gjuajtje të fortë nga distanca, por Ahmetaj ndal një gol të sigurt. Në 5 minuta shtesë në fund, Luftëtari përpiqet të bëjë diçka, por nuk del në sulm. Emini ka një shans, por ndërhyn Boje. Pas këtij episodi festa është e gjitha e Besës, që qëndron në Kategorinë e Parë.

 

Trajneri kavajas

Bubeqi: Objektivi u arrit,  pak besuan kur e mora Besën

Dorian Bubeqi, trajneri i Besës, u shpreh i kënaqur nga arritja e objektivit. Për “Panorama Sport”, trajneri i Besës thotë, se ishin të shumtë ata që nuk e besonin, por tashmë Besa e shpëtoi sezonin. “Na gëzon shumë arritja e objektivit. Në momentin që unë e kam marrë skuadrën, ishte pak e vështirë dhe shumë vetë nuk e mendonin se Besa do të shpëtonte. Por ja që u arrit sot (dje). Duke futur edhe ndeshjen me Luftëtarin, kemi zhvilluar 9 takime të mira. Për këtë sfidë vlerësimi ishte në maksimum. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por e rëndësishme ishte që e kaluam. I uroj suksese Luftëtarit dhe të rikthehet sa më shpejt në Kategorinë e Parë”, përfundon Bubeqi.

 

Gjirokastritët

Dalipi: Vendosën episodet, kontrata me Luftëtarin mbaroi

Edmond Dalipi, trajneri i Luftëtarit nuk e fsheh zhgënjimin që në Gjirokastër u mbyll një tjetër sezon i dështuar. “Objektivi nuk u arrit. Ishte një ndeshje që varej nga episodet. Besa shënoi dy gola të shpejtë dhe ekipi ynë e humbi toruan. Në pjesën e dytë e rihapëm lojën, por na goditi goli i tretë. Ndeshje të tilla vendosen nga episodet. Besa kishte lojtarë më me përvojë, dinin që ta kontrollin më mirë lojën. Ndeshja mund të rihapej, pasi ne goditëm edhe shtyllën. Por kjo gjë nuk ndodhi. E ardhmja? Unë kisha një kontratë njëvjeçare me Luftëtarin. Ajo përfundoi dhe do të bisedojmë me drejtuesit”, u shpreh trajneri i Luftëtarit, Edmond Dalipi për “Panorama Sport”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"