Bylis fiton me përmbysje ndaj Flamurtarit. Bellai: Jemi më të mirët. Memushi: Rastet nuk i administrojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 12:06

Bylis fiton me përmbysje ndaj Flamurtarit. Bellai: Jemi më të mirët. Memushi: Rastet nuk i administrojmë

Bylisi përmbys Flamurtarin. Edhe pse dy herë në disavantazh, ekipi i Bellait arriti që të dilte fitues ndaj vlonjatëve. Eurogoli i Bathës hap sfidën, ndërsa Ruçi barazon pasi portieri Teqja le në inferioritet kuqezinjtë.

bylis flamurtari

Podrimcaku shënon dhe gëzon ata 20 tifozë të pranishëm në Ballsh, por gjithashtu bën që Flamurtari të shkojë në avantazh në dhomat e zhveshjes. Në të dytën, Bylisi hyn furishëm dhe shënon tri herë të tjera, duke marrë tri pikë për renditjen.

PJESA E PARË– Skuadrat e nisin qetë takimin. Me kalimin e minutave, Kibe Xheferson dhe Sebastian La Torre vënë në provë portierët respektiv, por goditjet e tyre nuk kanë forcën e duhur. Flamurtari del gradualisht në sulm dhe një kombinim i shkëlqyer Indio-Batha sjell golin e avantazhit. Gjirokastriti lëshon një “silurë” me të djathtën nga rreth 25 metra dhe topi përfundon në rrjetë. Në minutën e 22-të, qendërmbrojtësi Krasniqi hedh një top të gjatë pas krahëve të mbrojtjes vlonjate për Peraltën, i cili falë shpejtësisë arrin të prek topin i pari. Aty Teqja ndërhyn në mënyrë të gabuar.

Karton i kuq dhe goditje dënimi për Bylisin. Trumçi bëhet gati, gjuan fort me të djathtën, pret i sapo futuri Kaloshi, por topi ngelet në zonë, aty ku përfiton Ruçi dhe e dërgon në rrjetë. Anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje, por hyn VAR-i, i cili merr 4-5 minuta kohë. Pas rishikimit të pamjeve, goli konsiderohet i vlefshëm. Megjithatë, nuk zgjat shumë festa e ballshiotëve, pasi në të 30-tën, vlonjatët kalojnë sërish në avantazh. Brenda në zonë, me një djathtë të ëmbël finalizon mesfushori Podrimcaku. Me avantazhin e ngushtë të miqve vlonjatë, mbyllet fraksioni i parë i sfidës.

PJESA E DYTË– Me fillimin e kësaj pjese, vendësit dominojnë në mesfushë dhe janë më të rrezikshëm në sulm. Pas minutave të para të mira, Bylisi rivendos baraspeshën. Kamara bën gjithçka mirë në linjën e djathtë dhe përballë Kaloshit dhe hutimit të mbrojtjes mike realizon, 2-2. Në të 63-n Bylisi gjen serish golin këtë herë atë të avantazhit. Sulmuesi 18-vjeçar Akibu, i aktivizuar në vend të Peraltës, pas një topi të fituar me forcë, depërton me shpejtësi në zonë, gjuan tokazi dhe topi përfundon në rrjetë.

Vlonjatët tashmë nuk kanë më “freskinë” psikologjike dhe humbasin terren edhe në fushën e lojës, pavarësisht se trajneri Eqerem Memushi dëgjohet që të karikojë të tijtë. Por, duket se është dita e vendësve. Në të 84-n mbrojtja vlonjate është në gjumë, fillimisht gabon Vitija dhe më pas Frashëri. Aty përfiton sulmuesi Kibe Xheferson, që i vetëm përballë portierit, me një parabolë të bukur shënon golin e katërt duke vulosur edhe fitoren e skuadrës mallakastriote.

 

Trajneri i Bylisit

 

Bellai: Mposhtëm një ekip simpatik, jemi më të mirët

Arian Bellai, trajneri i Bylisit u shpreh se e kishte studiuar mirë mënyrën sesi do të luante Flamurtari. Duke folur pas ndeshjes, trajneri thotë: “U rikthyem te fitorja ndaj një ekipi simpatik që ka kualitet brenda vetes, por dhe emër të madh. Këtë e tregoi edhe këtu në fushën tonë, pasi na vunë jo pak në vështirësi. Më pas, ndodhi ajo që të gjithë e panë, lojtarët tanë dhe kualitetet, jo vetëm që kanë dëshirë, por e treguan se dinë të jenë më të fortë ndaj të fortëve. E kishim studiuar mirë ekipin kundërshtar bashkë edhe me stafin tim në javët e fundit, mënyrën se si do të luante dhe momentet kur të gjenim dobësitë do e godisnim për të shënuar. Morëm 3 pikët dhe bëmë detyrën para tifozëve tanë. Të vazhdojmë të tregojmë se jemi skuadra më e mirë. Janë dy takime që vendosin vendin e parë”, tha Bellai për gazetën.

Trajneri i Flamurtarit

 Memushi: Luajmë bukur, por rastet nuk i administrojmë

Flamurtari u përmbys nga Bylisi në sfidën e luajtur dje në Ballsh, teksa pas ndeshjes, trajneri i vlonjatëve, Eqerem Memushi u shpreh: “E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe në fakt që në fillim u pa se ne hymë në fushë me mendimin që të bënim lojë të bukur, por edhe të fitonim sfidën në Ballsh. E nisëm mirë, por një pakujdesi në futboll të ndëshkon. Tani duhet që të jemi dinjitoz edhe në dy takimet e fundit të garës dhe të mendojmë më pas për “play-off”-in. Kemi kontigjent, kemi cilësi dhe luajmë futboll të bukur, por duhet që të administrojmë mirë fragmentet që na paraqiten sepse ndodh që e pëson dhe nuk mjafton vetëm që të luash mirë. Ndeshja përfundon pas 90-të minutave”, tha Memushi për “Panorama Sport” pas sfidës në Ballsh.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"