EKSKLUZIVE/ “Sfida jonë është që të mbushim stadiumin”, Bruno Telushi: Prisni Elbasan për trofe edhe në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 14:54

EKSKLUZIVE/ “Sfida jonë është që të mbushim stadiumin”, Bruno Telushi: Prisni Elbasan për trofe edhe në elitë

Bruno Telushi është ndër ata që ka fituar çdo trofe të mundshëm në futbollin shqiptar, por “uria” për të fituar ende, nuk i ka shteruar.

telushi

Tani kërkon ta bëjë një gjë të tillë me Elbasanin, duke e kërkuar edhe një titull kampion me këtë skuadër. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati i verdhebluve pohon se në këtë qytet është ndier si në shtëpinë e tij dhe do mundohet t’ua shpërblejë duke dhënë gjithnjë maksimumin në fushën e lojës. Sipas tij, Elbasani ka stofin e një klubi për të pretenduar gjithnjë majën, ndërsa tregon edhe sfidën e kësaj skuadre në Superiore: të mbushë një stadium plot në çdo ndeshje.

Telushi, si u ndjeve këtë sezon në Elbasan?

Këtë sezon në Elbasan jam ndier shumë mirë, ku më kanë pritur të gjithë shumë mirë. Ka qenë një sezon pozitiv dhe mund të them se jam ndier si në shtëpinë time.

Çfarë përshtypje të la Kategoria e Parë?

Nuk më la përshtypje të keqe, ku është një kategori jo e lehtë që duhet vlerësuar. E dija me mendjen time që do të isha thjesht kalimtar në këtë kategori dhe do të kthehesha shumë shpejt në Superiore, siç edhe ndodhi.

Projekti juaj me Elbasanin vazhdon edhe në Superiore?

Po, po, padyshim. Projekti im me Elbasanin do të vazhdojë edhe në Superiore. Unë për Superioren kam ardhur në këtë ekip, jo vetëm për Kategorinë e Parë. Shpresoj që të vazhdoj sa më gjatë.

Çfarë do të synojë Elbasani aty?

Elbasani do të synojë gjithmonë vendet e para, gjithnjë për të kapur maksimumin e mundshëm, sepse aty i ka hije. Duke parë edhe drejtuesit që kërkojnë gjithmonë majën më të lartë, besoj se do të synojmë vazhdimisht kreun.

Në aspektin personal, sa do ta doje edhe një titull me Elbasanin?

Në aspektin personal normalisht e dua shumë një titull në Superiore me Elbasanin. Shpresoj dhe do të jap maksimumin tim që ta bëj këtë gjë realitet.

Cila do të jetë sfida e Elbasanit në Superiore?

Mendoj që Elbasani në Superiore të gjitha ndeshjet do t’i ketë sfidë personale. Çdo ndeshje do të jetë objektivi ynë për ta fituar. Nga ndeshja në ndeshje të përmirësohemi dhe të bëhemi sa më të fortë. Pastaj, sfida kryesore do të jetë të mbushë stadiumin. E kanë treguar tifozët e Elbasanit edhe në Kategori të Parë dhe jam i bindur se në Superiore do jenë më të shumtë në tribuna, ndërsa ne në fushë do të mundohemi t’i kënaqim.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"