Asani-Broja nuk duken, Gjimshiti s’ka…partner! Ja çfarë shqetëson tek Kombëtarja para Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 23:05

Asani-Broja nuk duken, Gjimshiti s’ka…partner! Ja çfarë shqetëson tek Kombëtarja para Europianit

Jemi ende më shumë sesa një muaj larg nisjes së Europianit, por drejt fundit të këtij sezoni, aty ku çdo javë kuqezinjtë zbresin apo jo në fushë me klubet e tyre.

kOMBETARJAShqipëria arriti një kualifikim fantastik me një grup të gjerë lojtarësh dhe synimi është që deri në fillimin e këtij turne kaq të rëndësishëm, trajneri Silvinjo të formojë një grup të shëndetshëm në të gjitha aspektet: formë e mirë fizike dhe psikologjike e lojtarëve, sa më shumë minuta në këmbë por jo të mbingarkuar, dublim të të gjithë pozicioneve në listën përfundimtare, jo dëmtime dhe përfshirja e futbollistëve më të mirë sipas trajnerit. Thënë kaq thjeshtë, nëse bëjmë një vlerësim të situatës aktuale, dalin në pah disa probleme, pavarësisht se futbolli ndryshon shumë shpejt dhe gjithçka mund të shkojë për mrekulli.

PORTA Duke parë kundërshtarët që Kombëtarja do të përballet në grup, patjetër që do të duhet një portier në formë dhe me eksperiencë. Në pikën e parë, Elhan Kastrati vijon të luajë rregullisht, por mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare ia bën të vështirë një vend titullari. Tomas Strakosha mbrojti kuadratin e Kombëtares në miqësoret e fundit, por ato do të ishin minutat e vetme në harkun e tri muajve. Madje në ndeshjen e fundit të Brentfordit, portieri nuk ishte as në stol, megjithatë mbetet favoriti kryesor për të luajtur në Europian, edhe pse i duhet të fitojë garën me Etrit Berishën që vijon i dëmtuar prej një muaji. Gjithsesi arma e fortë e tij është eksperienca pasi tek Empoli e shohin si portier të dytë 35- vjeçarin.

MBROJTJA Pas një viti Kumbulla nisi një ndeshje si titullar, edhe pse performanca nuk ishte ajo që pritej. Mbrojtësi është ende larg formës së dikurshme kur bënte “zap” Levandovskin. Krahas një Gjimshiti lider dhe të pakalueshëm, Silvinjo do të ketë pak punë për të gjetur partnerin e duhur për ndeshjet e Europianit. Ismajli dhe Ajeti kanë treguar paqëndrueshmëri me dëmtimet këtë sezon, duke pësuar dy herë tërheqje muskulore dhe duke humbur një pjesë të mirë të ndeshjeve. Aktualisht të dy nuk luajnë për më shumë se një muaji dhe kanë mbetur vetëm 4 ndeshje deri në fundin e sezonit. Nga ana tjetër është Enea Mihaj i cili po luan në Portugali, por nuk shihet si zgjedhje e parë nga Silvinjo. Gjithashtu edhe Mersinaj me Veselin. Mitaj dhe Aliji në krahun e majtë, por Mario aktualisht po luan si mesfushor qendre me ekipin e tij në Rusi. Në rregull duket gjendja e Hysajt dhe Balliut.

MESFUSHA DHE SULMI Pavarësisht mungesës në dy ndeshjet e fundit për një problem me fytin, Ylber Ramadani ka treguar stabilitet këtë sezon me Leçen dhe është një pikë e fortë në mesfushën e Kombëtares. Kristjan Asllani, edhe pse ndoshta meriton më shumë minuta tek Interi, në ekipin kombëtar ka treguar që mbetet një titullar. Qazim Laçi dhe Keidi Bare gjithashtu janë konstantë dhe kanë treguar qëndrueshmëri këtë sezon, pavarësisht nivelit të kampionatit ku luajnë. I vetmi që shqetëson është Klaus Gjasula që është dëmtuar shpesh këtë sezon dhe momentalisht po vuan një lëndim në muskujt e barkut. Përpara Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi japin garanci. E njëjta situatë vlen edhe për krahun e majtë ku Myrto Uzuni dhe Taulant Seferi po kalojnë një formë të mirë, por probleme rrezikon sulmuesi i Granadës pasi po luan i sforcuar për të mbajtur ekipin në La Liga. Myrto ka një dëmtim në tendinin e “Akilit” të cilën duhet ta rikuperojë plotësisht para Europianit. Edhe Arbër Hoxha mbetet zgjedhje interesante, por i mungon eksperienca në ekipin kombëtar. Nëse kalojmë në krahun e majtë, shtohen “dhimbjet e kokës” për Silvinjon. Jasir Asani vijon të mos grumbullohet nga ekipi i tij në Korenë e Jugut, ndërsa Muja po merr minuta të reduktuara në Turqi. Një alternativë është edhe Muçolli. Përpara vetëm Armando Broja po vuan mungesën e minutave në Premier Ligë, ndërsa Rei Manaj, Mirlind Daku, Sokol Cikalleshi po luajnë rregullisht dhe po shënojnë me klubet e tyre, në kampionatet përkatëse.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"