MOSHAT U-17/ Partizani shkëlqen me Laçin, Shkëndija e Pinarit shënon 10 gola. Ja të gjitha rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2020 | 15:56

MOSHAT U-17/ Partizani shkëlqen me Laçin, Shkëndija e Pinarit shënon 10 gola. Ja të gjitha rezultatet

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së 14-të, në Grupin A dhe B, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

Partizani

Spektakël dhe goleadë për vendin e parë

sHKENDIJA 10-0

Shkëndija e Tiranës shkërmoq Pogradecin, duke shënuar plot 10 gola dhe merr vendin e parë në Grupin B për paratërinj. Skuadra e Luan Pinarit ka qenë e papërmbajtshme, duke mos pasur aspak mëshirë për kundërshtarin, teksa për 17 minuta shënoi plot 6 gola.

Një start magjik, duke e kthyer ndeshjen në stërvitore. Plot katër herë në portën e Pogradecit realizoi Goga. Ndërsa tripletë shënoi Miraka, duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 8-0. Një rezultat i jashtëzakonshëm dhe i papritur, edhe pse niveli i kundërshtarit linte për të dëshiruar në aspektin mbrojtës.

Miqtë nga Pogradeci u munduan të bënin diçka, por nuk shënuan dot as golin e nderit. Nga një herë në këtë takim për vendësit realizuan Gjevori, Jaupi dhe Ruçaj, duke vulosur një nga fitoret më të thella të këtij sezoni për skuadrën që përfaqëson shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”. Ky triumf sensacional përkoi edhe me ngjitjen në vendin e parë, pasi Flamurtari u ndal. /Abdulla Dushku/

 

Shkodra s’fal në shtëpi

sHKODRA

Shkodra e Rudi Piraniqit nuk fal në shtëpi, teksa mposht në frymën e fundit Shkëndijën e Durrësit, që mbyll tabelën e klasifikimit në Grupin A. Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë për vendësit, pasi Shkëndija ka kaluar në avantazh me Stasin, por Shpuza ka përmbysur gjithçka. Heroi i Shkodrës ka qenë Shkambaj në minutën e 93-të. /Admir Uruçi/

 

Teuta i falet Taçit

tEUTA

Teuta tregohet cinike ndaj Football Republic, duke fituar me një gol të Taçit në minutën e 65- të. Pjesa e parë ishte me ritëm, edhe pse nuk pati gola. Durrsakët ishin më të qartë në lojën e tyre, por avantazhin e gjetën vetëm në pjesën e dytë, kur asisti i Tepshit u shfrytëzua nga Taçi. Ekipi durrsak pati edhe raste të tjera për golin e dytë. /Zamir Qypi/

 

“Poker” i Akademisë

Adademia

Akademia e Futbollit ka fituar thellë ndaj skuadrës elbasanase të Pepës. Ishte një ndeshje ku shkëlqeu Sead Maja me një tripletë, por një meritë të padiskutueshme ka pasur edhe Ridi Koçi, që ishte protagonist në të gjitha aksionet sulmuese. Nga dy gola në çdo pjesë loje për ekipin e Gazmend Xhepës, teksa vulosi fitoren 4-0 Eldi Baftaj. /Abdulla Dushku/

 

Partizani “harron” Kupën kundër Laçit

Partizani 5-1

Partizani “harron” humbjen në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës me një fitore të thellë në kampionat kundër Laçit. Të besuarit e trajnerit Marko Pelinxhi kanë shkëlqyer në ndeshjen kundër bashkëmoshatarëve të tyre kurbinas, duke shënuar plot pesë gola.

Që në pjesën e parë të kuqtë mbyllën gjithçka, teksa fillimisht shënoi Buxhelaj dhe menjëherë më pas Ciku. Por, miqtë reaguan më pas me Bytyqin, duke rihapur takimin. Megjithatë, për t’u dhënë siguri “demave” mendoi sulmuesi Dezhgiu, i cili pa u mbyllur pjesa e parë realizoi golin e tretë.

Në 45 minutat e dyta nuk kishte shumë histori, pasi Partizani dominoi totalisht lojën dhe arriti të shënojë dy gola të tjerë me anë të Seitajt dhe sërish Dezhgiut. Pas 14 ndeshjeve, duke qenë se të kuqtë kanë një më pak, ekipi i Pelinxhit renditet i pesti, por ka mundësinë për t’u afruar me vendin e dytë. Javën e ardhshme Partizani luan ndaj Internacionalit në fushën e Pezë-Helmësit. /Abdulla Dushku/

 

Flamurtari bie në Korçë pas 14 javësh

Paratërinjtë e Flamurtarit, kryesues në Grupin B për 14 javë rresht, më në fund pësojnë humbjen e parë në kampionat. Ka qenë Skënderbeu skuadra që ua ka shkaktuar vlonjatëve këtë disfatë, madje me rezultatin e pastër 3-0. Në ndeshjen e luajtur në Korçë pati shumë rivalitet, por vendësit ishin më të qartë në lojën e tyre.

Fillimisht ata kaluan në avantazh me anë të Gorës në minutën e 34-t. Vlonjatët u munduan të reagonin, por nuk u treguan të saktë në finalizimin e aksioneve.

Edhe pjesa e dytë e gjeti Flamurtarin në sulm, korçarët u mbrojtën mirë dhe përdorën kundërsulmin si armën e tyre më të fortë. Selimllari shënoi golin e qetësisë për vendësit, duke befasuar vlonjatët. Dhe kur pritej reagimi i miqve, Këndezi shoi çdo shpresë me golin e tretë në minutën e 81-të, duke vulosur fitoren bindëse. /Llazi Saro/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"