Mirel Josa përballë të shkuarës, Laçi shkon drejt Shkodrës për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 13:35

Mirel Josa përballë të shkuarës, Laçi shkon drejt Shkodrës për fitore

Një pikë në frymën e fundit ndaj Teutës është konsideruar rezultati pozitiv në kampin kurbinas, duke pasur parasysh si rrodhi ndeshja në Durrës. Laçi i drejtuar nga Mirel Josa është brenda objektivave, pasi “Final 4” është synimi që ka klubi këtë sezon.

laci

Megjithatë, në tri ndeshjet e fundit, skuadra ka vuajtur, duke qenë larg efektivitet që ka pasur si kundër Tiranës dhe Skënderbeut.

Këtë të shtunë në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, kurbinasit përballen me Vllazninë në një takim shumë delikat, për vetë faktin se kundërshtari vjen nga një ecuri negative dhe do të kërkojë patjetër rikthimin te fitorja.

Megjithatë, të besuarit e Josës do të synojnë të përfitojnë në maksimum nga ky moment jo i mirë i shkodranëve. Vetë trajneri ka studiuar kundërshtarin e radhës, teksa ka qenë i pranishëm në ndeshjen Partizani-Vllaznia 4-1.

Josa i ka drejtuar kuqeblutë edhe në sezonin e kaluar, por gjithsesi njohja që trajneri ka për kundërshtarin, thjesht shikohet si një armë plus, pasi në fushë janë lojtarët ata që duhet të tregojnë sa vlejnë. Laçi shkon i plotë në Shkodër, me dyshimin e vetëm të mbrojtësit Arlind Kurti, i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Teutës. Gjithashtu ende larg gjendjes optimale është mesfushori Ledjo Tresa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"