Minutat e fundit, makthi i Kukësit këtë sezon/ Ekipi do të ishte i pesti nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 22:10

Minutat e fundit, makthi i Kukësit këtë sezon/ Ekipi do të ishte i pesti nëse…

Minutat e fundit janë kthyer në një makth më vete për Kukësin. Me Tiranën ishte thjesht një vazhdim i asaj që ka ndodhur përgjatë këtij sezoni, pasi u bënë disa ndeshje rresht që blutë e pësojnë në fundin e sfidës.

KUKESI

Është thjesht mallkim apo shpërqendrim, në Kukës ende nuk po dinë t’i japin një shpjegim, por është fakt që verilindorët kanë lënë pikë në plot shtatë ndeshje këtë sezon. Gjithsesi, për drejtuesit është më shumë sesa thjesht mallkim, sepse pjesën më të madhe të këtyre golave në fund ia kanë faturuar gjykimit, siç ishte rasti i fundit me Tiranën të shtunën.

NDESHJET E MAKTHIT

“Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës së ndeshjeve që Kukësi ka pësuar gol në dhjetë të minutat e fundit të sfidës dhe ka lënë pikë si pasojë e këtij fakti. Dhe, bëhet fjalë për tetë gola në shtatë takime që kanë pasur direkt ndikim në lënien e pikëve dhe nuk kanë qenë thjesht gola pa vlerë. Kështu, si për ironi të fatit, me bardheblutë i kanë humbur të tria ndeshjet në minutat e fundit, duke lënë pikë të vlefshme.

Dy herë ka ndodhur edhe me Dinamon që ta pësojnë pikërisht në minutën e 90-të dhe në të dyja rastet kanë dalë pa pikë. Kësaj liste u shtohen edhe barazimet 1 me 1 me Partizanin dhe po në këto shifra me Laçin, duke bërë që Kukësi në vend të tri pikëve, të siguronte vetëm një. Një situatë që tekniku Emiljano Çela do të mundohet ta rregullojë me patjetër në ndeshjet e ardhshme, pasi në të kundërt do ta ketë të vështirë të marrë pikët që i duhen ekipit për të siguruar mbijetesën në fund të këtij sezoni.

KLASIFIKIMI

Të përkthyera në pikë, janë plot 11-të të tilla më pak vetëm për shkak se ekipi nuk ka mundur dot të jetë efikas në minutat e fundit. Dhe, nuk janë pak, duke parë që diferencat në futbollin shqiptar, sa i përket renditjes, janë shumë të vogla për momentin.

KUKESI NDESHJET

E përkthyer në klasifikim do të ishte në vendin e pestë me 30 pikë, në garë për “Final 4” dhe nuk do të diskutohej më për mbijetesën. Megjithatë, realiteti aktual është krejt tjetër dhe Kukësi është i fundit me vetëm 19-të pikë, duke vënë në rrezik serioz mbijetesën në elitë, si asnjëherë më parë që kur u ngjitën mes më të mirave të futbollit shqiptar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"