Milinkoviç në fije të perit, ja kandidatët kryesorë për stolin e Kukësit. Plori në “linjën e parë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2017 | 11:59

Milinkoviç në fije të perit, ja kandidatët kryesorë për stolin e Kukësit. Plori në “linjën e parë”

Situata e krijuar te Kukësi, prej disa javësh u ka lënë vend diskutimeve për një trajner të ri. Prej disa ndeshjesh shihej qartë se e ardhmja e Milinkoviçit nuk ishte aq e sigurt sa bëhej edhe në deklaratat e protagonistëve, për të përfunduar sezonin. Me gjithë dakordësinë e djeshme, zërat për një trajner të ri nuk janë shuar përfundimisht. Kjo për vetë rezultatet e ekipit.

milinkovic

SITUATA

Ndonëse dje trajneri Milinkoviç ka marrë edhe një herë besimin e numrit një të klubit, e ardhmja e tij në krye të skuadrës nuk është e sigurt deri në përfundim të sezonit. Pas disfatës me Lushnjën, kandidatët janë shfaqur më së shumti pranë skuadrës verilindore. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime të besueshme se tre janë kandidatët kryesorë më pranë Kukësit për të marrë drejtimin e skuadrës si pasues të Milinkoviçit për të drejtuar ekipin deri në fund.

elvis plori

KANDIDATËT

I pari dhe më i avantazhuari për momentin është Elvis Plori. Momentalisht, ai është trajneri i skuadrës së Internacionalit, pra një ekip moshash dhe drejtimi i kampionëve në fuqi sigurisht që shndërrohet në prioritet për karrierën e tij. Emri i dytë në listën e kandidatëve, por edhe për vetë pozitat e mundësisë për të marrë drejtimin e Kukësit është emri i Dritan Mehmetit. Ky i fundit është aktualisht në krye të skuadrës AF Dinamo, sërish një skuadër në kampionatet e moshave në vendin tonë. I treti në radhë, momentalisht në këtë listë mundësish për të pasuar Milinkoviçin në stolin e Kukësit, është Julian Ahmataj. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të mësuar se cili do të jetë “timonieri” i Kukësit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"