Milani “thyen” mbrojtësit e Shqipërisë, pas Gjimshitit e Kumbullës e pëson edhe Ismajli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2024 | 21:49

Milani “thyen” mbrojtësit e Shqipërisë, pas Gjimshitit e Kumbullës e pëson edhe Ismajli

Sa herë që një futbollist i prapavijës së Shqipërisë luan kundër Milanit, me siguri trajneri i Kombëtares, Silvinjo, duhet të shqetësohet shumë. Ndeshjet kundër kësaj skuadre janë kthyer në makth të vazhdueshëm në vitet e fundit, me dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm të prapavijës dhe kështu ka ndodhur edhe sot.

ismajli

Në ndeshjen e sotme mes Milanit dhe Empolit në “San Siro”, mes titullarëve ishte si zakonisht edhe Ardian Ismajli në radhët e skuadrës mike. Mbrojtësi ishte protagonist duke ndalur disa aksione të kuqezinjve, por pas disa përplasjeve më lojtarët kundërshtarë, u desh të dorëzohej në minutën e 42-të duke lënë fushën e lojës. Mendohet se futbollisti ka vetëm probleme muskulore, por testet e ditëve në vijim do të përcaktojnë shkallën e këtij dëmtimi.

Kjo është hera e tretë në më pak se dy vite që futbollistë të Kombëtares vuajnë dëmtime në ndeshjet me Milanin. Berat Gjimshiti pësoi një të tillë duke marrë një krisje në kockë pasi u shkel nga Origi në gushtin e vitit 2022 e qëndroi jashtë fushave për tre muaj. Më pas e kishte radhën Kumbulla i cili pësoi një dëmtim të rëndë në gju pas përplasjes me Zhiru në prillin e vitit 2023, duke qëndruar për 10 muaj larg fushave të lojës.

Sot ishte radha e Ismajlit, me Silvinjon i cili padyshim që shpreson që të mos jetë diçka kaq serioze, duke llogaritur se ai është një nga të paprekshmit në rreshtimin e Kombëtares kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"