“Miku duket në ditë të vështirë”, Devolli prezantohet si krahu i djathtë i Shkëmbit: Ishim dy mesfushorët më të mirë të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 15:19


“Miku duket në ditë të vështirë”, Devolli prezantohet si krahu i djathtë i Shkëmbit: Ishim dy mesfushorët më të mirë të Superiores

Bledar Devolli është prezantuar sot para mediave si zëvendëstrajneri i ri i Dinamos, duke u vendosur përkrah teknikut Bledi Shkëmbi. Ai ka shpjeguar se pse kishte pranuar këtë ofertë dhe se shpresonte që në këtë detyrë të re, kjo dyshe të bënte po aq mirë sa në vitet kur kishin luajtur përkrah njëri-tjetrit.

shkembi devolli barushi

“Largimi nga Tirana? E para nuk u largova, e dyta në momentin që më kërkoi Bledi të punoja bashkë, e prita mirë sepse jemi miq të mirë bashkë, kemi 15 vite që jemi miq të ngushtë dhe miku duket në ditë të vështira besoj. Më pëlqeu projekti sepse presidenti po bën një klub që besoj se do të jetë model në Shqipëri dhe dua ta falënderoj që jam këtu se pa miratimin e tij nuk do të isha këtu.

Më pëlqen ekipi, edhe pse ka pasur vështirësi, por emrat janë dhe me lojtarët që kemi marrë në janar besoj se do të bëjmë mirë. Kam shumë besim te stafi, çunat dhe projekti.

Do të mendojmë për ndeshjen me Kukësin dhe çdo javë do të shohim ndeshjet që kemi përpara. Pastaj renditjen do ta shohim nga fundi i marsit apo nga prilli. Tani do shohim punën. Në këto 15 ditë kam parë impenjim, angazhim e karakter. Nëse e vendosim në çdo ndeshje si në stërvitje, besoj se do ta kemi shumë të thjeshtë.

Unë dhe Shkëmbi? Kur kemi qenë futbollistë, si te Teuta, ashtu edhe te Partizani, ndoshta kemi qenë mesfushorët më të mirë në Shqipëri dhe shpresojmë që ta bëjmë edhe në këtë pozicion që jemi tani. Në çdo repart kemi ekip të kompletuar dhe kemi lojtarë shumë cilësorë dhe me prurjet e janarit, kemi edhe më shumë cilësi në ekip. Shpresojmë të fillojmë që nga nesër”, tha Devolli.

PANORAMASPORT.AL