Metaj merr 87 mijë euro te Flamurtari, por ngroh stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2015 | 9:28

Metaj merr 87 mijë euro te Flamurtari, por ngroh stolin

Idriz firmos me Shkodran MetajLojtari më i paguar i Flamurtarit ngroh stolin. Ndodh edhe kështu. Ndonëse është lojtari më i paguar në klubin vlonjat, duke përfituar 87 mijë euro në sezon, kosovari Shkodran Metaj, i prezantuar me bujë te Flamurtari, si një goditje e verës së vitit të kaluar, më shumë se sa në fushë ka qëndruar në stol.

Mesfushori firmosi publikisht më 1 gusht të vitit të kaluar një kontratë dyvjeçare, ndërsa në dhjetor u përfol për një largim të tij nga vlonjatët, pasi, sipas drejtuesve, performanca e tij nuk përputhej me kontratën e majme. Madje, Metaj nuk u grumbullua nga Ramela për fazën përgatitore dimërore në Turqi, por u la të stërvitej në Vlorë me ekipin e të rinjve.

Metaj – Në javët e fundit kosovari Metaj është aktivizuar nga stoli, duke rikthyer besimin te stafi teknik. Lojtari mendon se ndihet në formë për të qenë pjesë e formacionit, pse jo edhe titullar, pasi në çdo ekip ku ka luajtur, madje edhe në Holandë, ka qenë ndër lojtarët kryesorë. “Më vjen mirë që po aktivizohem dhe jam i gatshëm të jap kontributin tim dhe maksimumin. Për një periudhë të gjatë nuk jam aktivizuar, madje nuk jam përfshirë as në 18-she. Natyrisht që çdo lojtar kërkon të aktivizohet dhe s’është mirë për të nëse rri në stol.

Unë jam një lojtar profesionist, madje edhe kur kam luajtur në Holandë kam qenë gjithmonë në listën e 18 lojtarëve për çdo ndeshje. Nuk e di pse nuk më kanë aktivizuar dhe trajneri nuk më ka dhënë ndonjë shpjegim për këtë. Unë jam në kontratë me Flamurtarin dhe natyrisht që jam këtu për t’i shërbyer këtij ekipi. Nuk po them se jam më mirë apo më keq se lojtarët që po luajnë, por kur unë kam bërë gjithnjë mirë në stërvitje, përse të mos aktivizohem”, thotë Metaj.

Premtimi – Edhe pse ka luajtur pak minuta, mesfushori Shkodran Metaj ndihet keq për situatën në të cilën gjendet Flamurtari. Kosovari thotë se Flamurtari meriton më shumë dhe se duhet që të jetë ndër ekipet elitare. “Më vjen keq që javët e fundit ne nuk kemi arritur më të mirën tonë dhe kemi zhgënjyer. Për këtë jam i mërzitur, pasi duhet të jemi ndër ekipet më të mira. Flamurtari nuk e meriton këtë situatë, pasi është një ndër klubet elitare. Për këtë edhe unë jam shumë i mërzitur. Shpresojmë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë, sepse është diçka që na dhemb të gjithëve. Unë premtoj maksimumin tim dhe jam i gatshëm në çdo kohë që të bëj detyrën”, përfundon Metaj. E

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"